Veliaj dhe Manja inspektojnë punimet në konviktet e Universitetit Bujqësor të Tiranës: Kushte moderne për 2150 studentë

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i Partisë Socialiste Ulsi Manja inspektuan kantierin tek Universiteti Bujqësor i Tiranës që krijon një mundësi të re për akomodimin e 2200 studentëve në 8 godina sipas standardeve evropiane.

Kryebashkiaku Veliaj tha se falë investimeve të reja, studentët do kenë një miniqytezë e cila është totalisht e dedikuar për ta.

“Është kantieri më i madh me 8 megagodina për 2150 studentë, të cilët do e kenë ëndërr të studiojnë në Universitetin Bujqësor, ku kanë një qytezë e cila është e tëra e dedikuar për ta, ndoshta me kushtet që nuk i kemi parë në shumë vende të Europës, unë jo e jo në shkollat që kam bërë, që të ketë edhe kuzhinën brenda, të ketë edhe tualet brenda, të ketë edhe sallën e studimit, të ketë edhe ngrohje, edhe kondicionim, diçka që ndoshta edhe shumë vende në Europë nuk e kanë”, sqaroi Veliaj.

“Sa herë vij në këtë kantier, surprizohem, – u shpreh Manja, teksa shtoi se, – tashmë që puna ka dalë në dukje, dhe këtu gjithçka është një mrekulli, aq sa është për ta patur zili. Më bën të filloj një fakultet të dytë edhe në këtë moshë që jam. Edhe respekt dhe mirënjohje për këdo që ka bërë të pamundurën që në një kohë rekord ne të kemi një korpus universitar në verë”.

Në fund Veliaj bëri me dije se vitin e ri akademik, studentët që do jetojnë në këto konvikte do gjejnë kushte më të mira dhe moderne.

“Mezi pres të shoh gjeneratën e parë të studentëve që do fillojnë këtë vjeshtë në vitin e ri akademik, të kthehen në Universitetin Bujqësor në një territor që nuk kanë për ta njohur dot dhe nuk kanë për ta besuar që është një lagje e tillë në Shqipëri. Me këtë frymë do vazhdojmë edhe në konviktet e tjera. Është ecur shumë, por nuk ka mbaruar. Pra në karabina do fillojë muratura, pastaj do fillojnë instalimet, derisa të bëjmë dhe mobilimin dhe të presim studentët”, nënvizoi Veliaj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.