Shqipëria me 4 aeroporte/ “Air Albania” ulet pas pak ditësh në aeroportin e Kukësit me çunat e Londrës

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Duke folur në aktivitetin Këndi i Fjalës në Gjirokastër, Kryeministri Rama tha se, “është e domosdoshme që ne të vazhdojmë me këmbëngulje përpara dhe të mos lodhemi, të mos dorëzohemi, sepse punët për t’u bërë janë të mëdha. Ama dhe mundësitë që kemi sot janë të mëdha. Janë shumë më të mëdha se ç’ishin përpara disa vitesh”.

“Deri përpara disa vitesh nuk mund të imagjinohej që një kompani aq e madhe sa ajo që po vjen të investojë në portin turistik të Durrësit, një nga portet më të mëdhenj turistikë të Mesdheut do të jetë në pak vite, do i qasej Shqipërisë”, tha Rama.

“Nuk mund të imagjinohej se dy kompani të mëdha si ato që kanë ardhur tanimë dhe janë në marrëveshje me ne për të ndërtuar dy vepra të mëdha si Skavicën dhe transformimin e TEC-it të Vlorës në një impiant me gaz të lëngshëm do vinin disa vite më parë dhe do futeshin në mes të një xhungle, siç ishte sistemi ynë energjetik”, u shpreh Rama.

“Ndërkohë që sot futja e tyre bën që ne ta shohim ta afërt jo të largët perspektivën që Shqipëria të bëhet eksportues neto i energjisë. Duke pasur parasysh edhe një tjetër investim të madh në dy pjesë: parkun e ri fotovoltaik të Karavastasë, parku më i madh me energji diellore në rajon që ka filluar punën dhe parkun tjetër fotovoltaik, parkun me energji diellore të Spitallës”, tha Rama.

“Të gjitha këto janë pjesë e një mozaiku që po fillon të bashkohet, së bashku me aeroportet”, theksoi Rama.

“Menduan që do bllokonin vaksinat, menduan që do bllokonin hapjen e aeroportit të Kukësit që do të jetë pas pak ditësh. Ai aeroport për të cilin më përqeshnin edhe më tallnin mua që këto janë 3D. Pas pak ditësh do të ulim “Air Albanian” atje me çunat e Londrës, me ata që kanë sharë më shumë në Facebook, që u bëj thirrje të fillojnë të prenotojnë dhe të tregojnë ato sharjet. Kush ka sharë më shumë të vijë dhe të ulet në Kukës, ta shohë vetë 3D atje”, tha Rama.

“Ndërkohë”, shtoi Rama, “mbarojmë negociatat sipas ligjit, firmosim kontratën për të filluar punën për aeroportin e Vlorës pas shumë mundimesh, për shkak të pandemisë, për shkak të historive të tjera që ndodhin, që s’i ke në dorë”.

“Sapo të nënshkruajmë kontratën do të hapim garën për aeroportin e Sarandës dhe do ta bëjmë Shqipërinë me 4 aeroporte. Ndërkohë që në aeroportin e Tiranës fillojnë investimet për pistën, që të garantojë fluturime edhe përtej oqeanit me “Air Albania”, por edhe me linja të tjera, dhe për terminalin e ri”, tha Rama.

“Janë të gjitha projekte që tani thjesht dhe vetëm janë për t’u realizuar, dikush në realizim e sipër, dikush në fillim. Si do lihen të gjitha këto tani të fillojë përsëri historia nga e para, të fillojë prapë tallavaja nga e para”, u shpreh Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.