Rekord aplikimesh për pasaportë të re në e-Albania, Karçanaj: Mbi 21 vite pritje të kursyera në radhë

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Rekord aplikimesh online për t’u pajisur me pasaportë të re. Drejtoresha e AKSHI-t, Linda Karçanaj shpjegon me shifra se si plotësimi elektronik i formularit të aplikimit është kthyer në një nga shërbimet më të përdorura për qytetarët, nga maji i vitit 2020, kur nisi implementimi në e-Albania.

“Në vetëm 11 muaj, rreth 189 mijë qytetarë kanë aplikuar në e-Albania për të plotësuar formularin elektronik, duke eliminuar përgjithmonë ecejaket dhe radhët e gjata të pritjes në sportelet e policisë”, shprehet Karçanaj.

Drejtoresha e AKSHI-t thotë se ky shërbim i dedikuar online ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, duke i kursyer kohë dhe vajtje-ardhje të panevojshme në komisariate.

“21.5 vite kohë pritje u kemi kursyer qytetarëve vetëm falë plotësimit online të formularit të aplikimit, që zgjat më pak se 2 minuta. e-Albania është sot platforma e çdo qytetari, që aplikimin për pasaportë mund ta bëjë online, direkt nga kompjuteri apo smartfoni për t’u pajisur me dokumentin e ri”, përfundoi Karçanaj. /j.p/r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.