Rama për kontrollorët: Kishin bërë llogari djallëzore, por pa hanxhinĕ. Luftuam gjithë natën që vaksinat të mos iknin në drejtim tjetër

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Gjirokastra se “vaksinat mbërritën në Shqipëri dhe ne do vazhdojmë vaksinimin, sepse jemi të vendosur ta nxjerrim Shqipërinë dhe shqiptarët nga tuneli sfilitës i pandemisë edhe sezonin turistik ta kemi shumë më të lehtësuar”.

Duke folur për pezullimin e punës në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Kryeministri Rama tha se, “e patë çfarë ndodhi dje? Një goditje e çmendur ndaj një prej aktiviteteve jetësore të vendit që është qarkullimi ajror, që kërcënoi të bllokonte procesin e vaksinimit për disa javë, sepse është një lloj aktiviteti shumë i veçantë dhe ata që e garantojnë këtë aktivitet, kontrollorët ajrorë, nuk janë punonjës dosido që mund të zëvendësohen sa hap e mbyll sytë”.

“Llogaritë ishin bërë në mënyrë shumë djallëzore, sepse koha për ti zëvendësuar mund të jetë disa javë kaq duhej për të krijuar pasiguri, për të nxitur nga e para kthimin e rrumpallës. I kishin bërë hesapet pa hanxhinë, sepse ndërkohë ne ishim duke u përgatitur për ta përballuar atë goditje dhe e përballuam. Vaksinat u vonuan, për fat të keq humbëm një ditë, një ditë ia lamë hapësirës së armikut të padukshëm për shkak të atyre xhagajdurëve”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se “sot vaksinat mbërritën dhe kaluam gjithë natën që të mos iknin në drejtim tjetër, se nuk e kupton njeri, që i kemi porositur, por i mbani atje se nuk i marrim dot. Nuk i merrni dot, i merr dikush tjetër. Kacafytja për të marrë vaksinat është kacafytje botërore, të gjitha vendet janë në këtë kacafytje. Si mund t’u argumentosh se ‘shiko, këtu kemi një president bashkë me një ish-president që janë përfshirë në një çmenduri dhe i kanë futur në qorrsokak disa të tjerë përmes disa leshkosh të tyre për të bllokuar aktivitetin ajror të vendit’?!”.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.