Plotësimi i Gjykatës së Lartë/ Zv.kryetari Sadushi bisedë me kreun e OSBE-së, Del Monaco

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Zëvëndëskryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ka pritur në një takim kortezie të enjten kreun e Prezencës së OSBE në Shqipëri, ambasadorin Vincenzo Del Monaco.

Sadushi i ka uruar Del Monaco-s suksese në detyrën e tij si diplomat, në krye të prezencës së OSBE-së në Shqipëri, duke shprehur njëkohësisht mirënjohjen e tij në lidhje më ndihmën e vazhdueshme që OSBE i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Shqipërisë.

Ai vlerësoi rolin e kësaj organizate të rëndësishme në nxitjen e demokratizimit, funksionimin e shtetit ligjor dhe respektimin e të drejtave të njeriut, si kushte të domosdoshme për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian.

Gjatë bisedës, zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë e njohu ambasadorin Del Monaco me disa nga problematikat kryesore me të cilat përballet sot Gjykata e Lartë, duke ndaluar veçanërisht tek emërimi dhe plotësimi i kësaj gjykate me anëtarët e rinj.

Duke e quajtur vitin e Gjykatës së Lartë, Sadushi u shpreh se përbërja sa më e plotë e gjykatës do të sjell padiskutim finksionalitetin normal të saj si edhe plotësimin në kohë të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Opinioni publik pret shumë nga kjo gjykatë dhe është pikërisht për këtë, që përgjegjësia e anëtarëve të saj sot, është më e madhe në përmbushjen e pritshmërive që kanë qytetarët dhe gjyqtarët, për të bërë më të mirën në punën dhe detyrën e tyre. Sadushi theksoi se Gjykata e Lartë vijon të kërkojë nga të gjithë institucionet kompetente përshpejtimin e procedurave për emërimin e anëtarëve të rinj të saj, në mënyrë që kjo gjykatë të ushtrojë në funksion të plotë detyrat dhe qëllimin e saj.

Ambasadori Vincenzo Del Monaco është shprehur i kënaqur dhe i nderuar për mikpritjen duke u shprehur se, Gjykata e Lartë është një nga faktorët kyç të sistemit gjyqësor në Shqipëri, duke theksuar se pritshmëritë e qytetarëve janë të kuptueshme mbi këtë institucion. Ai shtoi se, OSBE është gjithmonë e gatshme për të dhënë kontributin e saj në çdo kohë, duke vendosur prioritete mbi atë çka është e dobishme për Gjykatën e Lartë dhe e mundshme për tu ofruar nga prezenca e OSBE në Shqipëri. Ambasadori Del Monaco shprehu interesimin e tij mbi mënyrën e organizimit të veprimtarisë aktuale të Gjykatës së Lartë, numrin e çështjeve gjyqësore në pritje për tu gjykuar si edhe procesin e shqyrtimit në kohë dhe me cilësi të këtyre çështjeve nga ana e anëtarëve të kësaj gjykate.

Del Monaco dhe Sadushi, konfirmuan edhe një herë gadishmërinë për të vazhduar më tej bashkëpunimin ndërinstitucional në funksion të përmirësimit të reformave në sistemin gjyqësor.​ /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.