Përmirësimi profesional dhe teknologjik/ SHBA dhurojnë laptop-ë për administratën doganore

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Administrata Doganore Shqiptare synon që krahas misionit të saj mbrojtës të kufijve, eliminimin e trafiqeve dhe kontrabandës, të përmirësojë nga ana profesionale dhe teknologjike stafin e saj.

Përfaqësues të Programit EXBS (Export Control and Related Border Security) për Kontrollin e Eksporteve dhe Sigurinë Kufitare, pranë Ambasadës amerikane në Tiranës, në kuadër të bashkëpunimit me Doganat Shqiptare, dhuruan një sasi të konsiderueshme laptop-ësh për njësinë e Antitrafikut.

Sasia e laptop-ve iu dorëzua drejtorit të përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli, nga Vilma Guri, përfaqësuese e EXBS Regional Program, pranë Ambasadës së USA, në Tiranë.

Gazheli vlerësoi rëndësinë e strukturave doganore, sidomos në luftën ndaj fenomeneve të kundraligjshme, si dhe kërkoi nga strukturat profesionalizëm dhe efektivitet të shtuar kundër çdo shkelje ligjore apo trafiku të paligjshëm.

Përfaqësuese e EXBS Regional Program, Guri shprehu angazhimin për mbështetje edhe në vazhdim për Doganat Shqiptare. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.