Pazari i Gjirokastrës, aty ku çdo muaj hapin dyer, restaurohen e transformohen shtëpi të vjetra në biznese e bujtina

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama vizitoi sot pazarin e Gjirokastrës ku u shpreh se, “çdo muaj hapin dyer, restaurohen shkallë e transformohen shtëpi të vjetra në biznese të vogla e bujtina fantastike”.

“Para 7 vjetësh Gjirokastra kishte vetëm një hotel, ndërsa sot pas operacioneve të Rilindjes Urbane dhe falë energjisë së re që ato çliruan, janë me dhjetra hotele që vetëm shtohen ngado”, tha Rama.

Kryeministri vizitoi biznesin e Ermalit, djalin e Muhedin Makri mjeshtrit të njohur të gurit në Gjirokastër, i cili u nda nga jeta marsin e vitit 2020 në moshën 82-vjeçare.

“Unë e bëj gurin të flasë në të gjitha gjuhët e botës”, tha Ermali, teksa kreu i qeverisë u shpreh se, “tani do lirojmë sezonin dhe do kesh punë se do vijnë njerëz. Besoj se më e keqja është duke ikur e kemi pas krahëve më e mira është përpara”.

Ai i dhuroi kryeministrit edhe një tabelë guri ku kishte shkruar “Voto 12 PS”. “Këtë do ta vë tek zyra e PS atje ”, i tha Rama.

Më pas Rama vizitoi një tjetër mjeshtër, atë të përpunimit të drurit, Anastasin. “Do hapim sezonin turistik edhe të fillojë puna fort. Ndërkohë keni bërë punë keni mbushur, kështu që të hapim sezonin”, tha Rama.

“Gjatë dimrit e kemi pak periudhë mbijetese, por përgatitemi për sezonin turistik veror”, tha Anastasi.

“Qëlloi kjo pandemia, qëlloi keq, por tani do ta shporrim këtë flamë edhe të kemi sezon të mbarë. Besoj që do eci”, u shpreh Rama.

Kryeministri u shpreh se shumë shpejt zbret radha e vaksinimit tek moshat 65-60 vjeç.

Një tjetër tregtare i tha Ramës se “puna po ecën shumë mirë. Fundjava është shumë mirë, kanë ardhur turist goxha, vijnë edhe vendas”.

Kryeministri vizitoi edhe disa bujtina që janë transformuar dhe janë bërë gati të presin turistët vendas dhe të huaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.