Mbërrijnë 100,000 vaksina të tjera antikovid “Sinovac” në aeroportin e Rinasit

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Mbërrijnë 100,000 vaksina të tjera antikovid “Sinovac” në aeroportin e Rinasit.

Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Rama ku shprehet se, “me një ditë vonesë për shkak të tentativës çmendurake për bllokimin e fushatës së vaksinimit dhe nxitjen e rrëmujës në prag të zgjedhjeve, mbërrijnë 100,000 vaksina të tjera antikovid”.

“Më të vendosur se kurrë për të vazhduar me ritme të larta vaksinimin masiv dhe për të garantuar një sezon turistik të lehtësuar e me të ardhura të larta për Shqipërinë”, tha Rama.

Në aeroportin “Nënë Tereza” ishin të pranishëm ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.

Ministrja Balluku tha se, “padyshim sot është një ditë e veçantë si gjithmonë kur arrijnë vaksinat, pasi një pjesë tjetër e popullsisë do të vaksinohet. Çfarë është e rëndësishme është që vaksinat të ulen në Rinas, pas një vështirësie shumë ta madhe që kemi patur dje për shkak të grevës së paligjshme të kontrollorëve të trafikut ajror. Sot arritëm që të krijojmë të gjitha kushtet për të bërë ulje-ngritje nga aeroporti i Rinasit vetëm për fluturimet esenciale, ku parashikohen fluturimet shëndetësore, diplomatike, ushtarake, shtetërore. Padyshim ky që është fluturimi më i rëndësishëm, “Air Albania”, që sjell 100 mijë vaksina të tjera”.

“Ngjarja e paprecedent, e jashtëligjshme, që ndodhi dje vuri me të vërtetë në risk planin tonë të vaksinimit masiv, që tashmë ka filluar dhe pritej prej ditës se djeshme ardhja e dërgesës së dytë prej 100 mijë dozash të vaksinave”, u shpreh Manastirliu.

Ajo theksoi se, “falë përpjekjeve madhore të Kryeministrit dhe gjithë qeverisë ne arritëm që 100 mijë vaksinat “Sinovac” të vinin dhe të uleshin në Shqipëri. Duhet të kuptojmë që pikërisht nga kjo vonesë plani ynë i vaksinimit tashmë u shty 48 orë, pasi duhen të gjitha procedurat që ne ishim përgatitur për t’i kryer ditën e djeshme të spostohen pak në kohë. Imagjinojeni çfarë do të kishte ndodhur nëse nuk do të ishin bërë këto përpjekje madhore, nëse nuk do kishim arritur t’i kishim këto vaksina në kohë, pasi dihet çfarë lufte e madhe bërrylash bëhet për të siguruar vaksinën në rast se një shtet heziton, apo nuk ka mundësi t’i marrë. Atëherë një vend tjetër që është në pritje të vaksinës i merr. Ne kemi arritur t’i sjellim vaksinat në një kohë të shpejtë, pra t’i kemi sot dhe të vazhdojmë me planin tonë të vaksinimit masiv”.

“Patjetër do na duhet koha e nevojshme për të kryer të gjitha proceduarat, të dokumentacionit, magazinimit e patjetër dhe të shpërndarjes për të vijuar në ditët e ardhshme me hapjen e fashës të grupmoshës +65 vjeç dhe +60 vjeç dhe padyshim dhe me punonjsitë e shërbimeve kritike. Kemi arritur që vetëm në 2 javë, në datë 25 të vinin 192 mijë vaksinat nga “Sinovac” dhe menjëherë pas dy javësh të kemi menjëherë 100 mijë vaksina të tjera, të cilat i shërbejnë vaksinimit të popullatës sipas grupmoshave. Gjithashtu në përpjekje të jashtëzakonshme për të mundësuar që të kemi kryer 500 mijë vaksinime deri në muajin maj. Nuk do të ndalemi derisa qytetari i fundit të jetë vaksinuar për të mbërritur në planin tonë të vaksinimit të popullatës brenda pranverës së ardhshme”, përfundoi ministrja.

Ministri Ahmetaj u shpreh se, “asgjë s’mund të na ndalojë të bëjmë 500 mijë vaksinimet për qytetarët shqiptarë në luftën kundër pandemisë. Siç i shikoni numrat janë në rënie. Ne kemi filluar ta mundim atë flamë dhe plani i vaksinimit, siç iu referua dhe ministrja Manastirliu, do të vazhdojë me shpejtësi për të arritur ato objektiva që kemi. Ne jemi ndërkohë sërish së bashku duke negociuar me vende mike, me prodhues dhe distributorë të autorizuar”.

Ahmetaj tha se, “dje kemi marrë nga Këshilli i Ministrave autorizimin për të negociuar përfundimisht për 50 mijë doza “Sputnik” që do të vijnë në javët e ardhshme. Do të vazhdojë të vij “Sinovac” dhe javës që vjen të hënën, ose të martën. Besoj që shqiptarët e shohin që përpjekja vazhdon të jetë e madhe, intensive në favor të shëndetit publik. Unë mendoj që përpjekja e Kullës për të sabotuar sjelljen e vaksinave dështoi dhe ne do vijojmë me të njëjtin temp vaksinimin e qytetarëve shqiptarë”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.