Komiteti i Mbrojtjes Civile/ Peleshi: Masa për rikthimin e fluturimeve, u autorizua ministrja Balluku për zëvendësimin e kontrollorëve

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili mban dhe detyrën e drejtuesit të Komitetit të Mbrojtjes Civile ka mbledhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme Komitetin e Mbrojtjes Civile ku u kërkua që ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë të marrë masat e nevojshme për rikthimin e punës, qoftë edhe duke zëvendësuar kontrollorët e aeroportit të Rinasit, greva e të cilëve ka bllokuar fluturimet.

Ministri Peleshi ka bërë me dije sot, gjatë një emisioni televiziv, se gjatë orëve të vona të mbrëmjes ka mbledhur Komitetin e Mbrojtjes Civile, që autorizoi ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku për të bërë zëvendësimin e kontrollorëve.

“Dua të bëj me dije për herë të parë në media diçka. Ministri i Mbrojtjes është edhe drejtues i Komitetit të Mbrojtjes Civile dhe kam thirrur në orët e vona një takim të Komitetit të Mbrojtjes Civile. Ky Komitet i përbërë nga disa ministra, ka marrë një vendim me tre pika”, u shpreh Peleshi.

Pika e parë, sipas tij, ngarkon ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë për marrjen e masave të nevojshme për të bërë të mundur rikthimin e punës, qoftë edhe duke zëvendësuar e kontrollorët, qoftë me të huaj, qoftë me vendas; e së dyti, të përcaktojë kriteret e licencimit për të rinisur fluturimet sa më parë dhe të bëhet çfarë është e nevojshme për rifillimin gradual të punës.

“Nuk mund të rrimë në vend, nuk mund të ngelemi peng i lojës politike, do të kryej deri në fund detyrën time si ministër, nisur nga rezultati i këtij Komiteti, ministrja Balluku ngarkohet për të bërë gjithçka për të rifilluar punën. Njerëzit kanë shumë pikëpyetje kur do të vijnë, kur do të ikin, priten vaksinat, e kemi vlerësuar si një kërcënim për Mbrojtjen Civile dhe kemi marrë këtë vendim”, tha Peleshi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.