KANADA – Ontario në bllokim të plotë përballë valës së tretë COVID-19

OTAVA, 8 prill /ATSH-AFP/ – Ontario, provinca më e populluar e Kanadasë, nga sot ka urdhëruar banorët e saj të qëndrojnë në shtëpi, si edhe do të mbyllë bizneset jothelbësore për një muaj, për të kundërshtuar valën e tretë të COVID-19, njoftoi kryeministri Doug Ford.

“Ju lutem, nëse nuk është për një arsye thelbësore, qëndroni në shtëpi, sepse situata është serioze”, komentoi Ford gjatë një konferencë për shtyp.

“Unë jam jashtëzakonisht i shqetësuar. Situata po ndryshon me shpejtësi (…) Ne duhet të veprojmë shpejt dhe me vendosmëri”, shtoi ai.

Për katër javë, sipas qeverisë, 14 milionë kanadezë në Ontario urdhërohen të dalin vetëm për arsye thelbësore, të tilla si pazar për ushqime, për të shkuar në farmaci ose te mjeku.

Për të gjashtën ditë rradhazi, krahina, më e prekura në Kanada, raportoi më shumë se 3 000 raste të reja të COVID-19, gati tre të katërtat e të gjitha infeksioneve të reja në vend.

Provinca, e përballur me një rritje të mprehtë të rasteve të COVID-19 dhe shtrimeve në spital, forcoi kufizimet e saj javën e kaluar duke aktivizuar një “frenim emergjence”, i konsideruar i pamjaftueshëm nga autoritetet lokale të Shëndetit Publik.

Këto masa veçanërisht lejuan që bizneset jothelbësore të qëndronin të hapura me një kapacitet të kufizuar në 25%./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.