Investimet në infrastrukturë, fluks turistësh në Gjirokastër/ Rruga që lidh Kolonjën me Përmetin drejt përfundimit

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se investimet në infrastrukturë, kanë bërë që të rritet numri i turistëve dhe investimeve private në zonën e Gjirokastrës.

Duke folur në aktivitetin Këndi i Fjalës në Gjirokastër, Rama tha se, “Gjirokastrën e keni parë në ditë të këqija, e keni parë dhe në ditë të mira. E dini shumë mirë se kur ka qenë në ditë të këqija, dhe kur është në ditë të mira”.

“Tepelena deri dje ishte një xhep fals atje, një kthesë ku të gjithë ndalonin për të lagur buzët tek ai kroi atje, kush futej në Tepelenë ndonjëherë”, tha Rama, duke shtuar se, “sot në Tepelenë, kush e imagjinonte që 30 milionë dollarë do hidheshin nga njerëzit, nga investitorë, njerëz të zakonshëm, emigrantë që po rikthehen me investime në rrënojat e shtëpive të gjyshërve të tyre që po kthehen në bujtina”.

“Nivica lart ishte një mrekulli, po kush shkonte në Nivicë? Të thyheshin brinjët dhe bëheshe për spital. Sot Tepelena, jo vetëm që është bërë një destinacion, po përkundrazi po bëhet një udhëkryq shumë i rëndësishëm, pasi Tepelena po del në det me rrugën e shumëndërruar prej shumë e shumë dekadash nga Labëria lart në mal, në Jon poshtë. Po ajo është një rrugë që do mundësojë që ata që vijnë në Jon për pushime të kenë mundësi të kalojnë këtu dhe të vijnë në Gjirokastër dhe anasjelltas”, tha Rama.

“Nga ana tjetër rruga që lidh Kolonjën me Përmetin përmes aksit Kolonjë-Korçë që është drejt përfundimit do të bëjë që Korça të jetë fare afër për Gjirokastrën dhe Gjirokastra të jetë afër për Korçën. Dhe kështu zgjerohet gjithë ky pellg i madh me kaq shumë gjëra për të vizituar dhe kështu rriten ditët që i duhen dikujt si turist për të qëndruar. Dhe kështu duke qëndruar rriten edhe kërkesat e tij, por rriten dhe mundësitë këtu për t’i ofruar shërbim”, theksoi Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.