Bardhi në Elbasan: Nuk premtojmë mrekulli, por normalitet përmes angazhimeve konkrete

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Drejtuesi Politik i PD për qarkun e Elbasanit, Gazment Bardhi zhvilloi një takim me banorë të lagjes “5 Maji”, i shoqëruar nga kandidati për deputet Qani Xhafa.

“Do ishim të pavërtetë nëse do premtonim mrekulli këtu. Dhe pas 4 vitesh të vijmë e të themi, nuk i bëmë dot, se kështu gjetëm ca borxhe në qeveri, po na jepni votën se do i bëjmë herën tjetër. Nuk ka më herë tjetër. Nuk ka më shans Shqipëria e këta djemtë e rinj që janë këtu, e brezi im. Prandaj në këtë fushatë ne kemi dalë me angazhimin për të kthyer normalitetin. Më mirë vij këtu, jam i vërtetë e them do bëj 3 gjëra, sesa të premtoj 300 e mos të bëj asnjërën”, u shpreh Bardhi.

Ai theksoi nevojën jetike për të ndërruar modelin e qeverisjes, jo thjesht për të sjellë me 25 prill rotacion politik.

“Nuk është ndryshim nëse ikën Taulant Balla dhe vjen Gazment Bardhi. Nuk është ndryshim, nëse nuk ndryshojmë modelin e sjelljes. S’mund t’i marrim kurrë ne qytetarët që na japin votën për të mirëqenë që i kemi në xhep. Prandaj këto zgjedhje janë mesazh për këta që ishin në 8 vite e s’bënë asgjë, po edhe për ne, që nëse çedojmë nga angazhimet tona, kokërr vote s’duhet herën tjetër të na jepni”, tha Bardhi.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.