4 projekte të Rilindjes Urbane zgjojnë potencialin turistik në Përmet/ Ofertë fituese ende për t’u zhvilluar

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot një kronikë me fakte dhe dëshmi nga Rilindja e Përmetit, ku kultura, trashëgimia, tradita dhe një peizazh mahnitës, tashmë ofrojnë një ofertë fituese turistike me një potencial fantastik ende për t’u zhvilluar.

Qyteti i mikpritjes i është nënshtruar për të parën herë valës rienergjizuese të Rilindjes Urbane, duke u kthyer në një qendër graviteti që tërheq përherë e më shumë interesin e vizitorëve vendas e të huaj.

Rilindja Urbane ka zgjuar potencialin turistik të qytetit të trëndafilave përmes 4 projekteve me vlerë 1.53 milionë euro.

Projekti më i rëndësishëm është ai për rikualifikimin urban të qendrës së qytetit, fasadave dhe ndriçimit në parkun qendror.

Marsel Bejko një sipërmarrës që ka një kantinë vere tha se Përmeti është kthyer në një atraksion turistik shumë të madh të paktën në 5-vjeçarin e fundit, pasi janë shtuar shumë vizitorët, aq sa mund të themi se edhe shtretër të lirë nuk kemi në hotele.

Edhe Avenir Deliu, i cili ka hapur një strukturë hoteliere në qytet pasi është kthyer nga emigrimi tha se, “investimet dhe projektet që janë zhvilluar në qytetin e Përmetit janë një shtysë për të zhvilluar turizmin dhe për të krijuar vende të reja pune.

“Emigrova në Angli ku qëndrova për 15 vjet. Duke parë që Përmeti po ndryshonte kjo më bëri të zhvendosem nga Anglia dhe të punoj bashkë me familjen time në Përmet. Klientët donin të qëndronin më tepër se 1 ditë, ndaj vendosëm të krijonim një aktivitet të ri, si ecja me kuaj, për të shijuar natyrën e bukur të Përmetit. Ne kemi krijuar një rrjet me bujtina në disa fshatra ku bëjmë ndalesa, qëndrojmë dhe përjetojmë mënyrën se si jetohet në ato fshatra”, tha ai.

Impakti i këtyre projekteve dallohet drejtpërdrejt në numrin e turistëve. Nga 700 turistë të huaj që shënoheshin 1 vit përpara Rilindjes Urbane, sot numri i turistëve të huaj ka shkuar në 12 mijë në vit.

Po ashtu, numri total i vizitorëve në Përmet arrin nga 10 mijë në 30 mijë në vit.

Rritja e numrit të vizitorëve ka shtuar edhe të ardhurat që gjenerohen nga turizmi si aktivitet ekonomik. Nga më pak se 1 milion euro të ardhura nga turizmi, sot numërohen mbi 4 milionë euro të ardhura.

Kthimi i qytetit dita-ditës në një pikë të fuqishme tërheqëse të turistëve ka bërë që aty të hapen plot 25 njësi të reja akomoduese.

Të dhënat provojnë se vetëm në dy vitet e fundit janë investuar 500 mijë euro në sektorin privat në këtë zonë.

Qyteti i mikpritjes sot shënon 75 % më shumë biznese. Po ashtu vlera e qirasë është rritur me 150 % për ambientet tregtare si dhe është dyfishuar vlera e qirave të njësive të banimit.

Kultura, trashëgimia dhe qyteti tanimë i rilindur shfaqen sot si një ofertë e rrallë turistike e cila ofron para së gjithash një eksperiencë të pasur shpirtërore për vizitorët vendas dhe të huaj.

Përmeti qëndron sot si dëshmi e freskët e faktit që të transformosh hapësirat urbane do të thotë t’i japësh jetë një tjetër perspektive.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.