“Reforma në Drejtësi mbetet prioritet, ka arritur rezultate të jashtëzakonshme”/ Gjonaj: Qytetarët do vlerësojnë punën tonë

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Kandidatja e PS për Tiranën, Etilda Gjonaj mbi ngjarjen e Rinasit theksoi se është një ngjarje e jashtëzakonshme dhe personat të cilët kanë bërë këtë bllokim duhet të dalin para drejtësisë.

“Nuk mundet që një grup njerëzish të marrin peng dhe të cënojnë territorin dhe nuk ka ndodhur ndonjëherë, dhe për këtë arsye patjetër do të merren të gjitha masat, ashtu siç edhe ministrja Balluku e ka deklaruar. Personat të cilët e kanë bërë këtë bllokim do duhet të dalin para drejtësisë”, tha ajo.

Gjatë një interviste televizive Gjonaj e pyetur për takimet elektorale dhe se cilat janë problematikat e qytetarëve theksoi se situata e pandemisë ka sjell disa problematika.

“Ka problematika edhe të legalizimeve, apo të titujve të pronësisë, por e caktojnë dhe e japin qartësisht faktin që ka një ndryshim tërësor si për pjesën e investimeve nëpër lagje, si për pjesën e investimit në shkolla të reja, ashtu edhe për sa i përket pajisjes me titujt e pronësisë, certifikatat e pronësisë. Ne edhe me reformën e tokës që kemi ndërmarrë, reformën e titujve të pronësisë kemi zgjidhur jashtëzakonisht shumë ngërçe të cilat kanë sjellë si pasojë edhe mungesën e certifikatave të pronësisë të atyre që banojnë në pallate, banorëve të pallateve. Por për shkak të papërgjegjshmërisë të investitorëve të ndryshëm ka mbetur pa përfunduar e gjithë procedura”, u shpreh Gjonaj.

Mbi fushatën elektorale dhe pritshmëritë e saj si kandidate për njësinë nr. 7 në Tiranë Gjonaj tha se qytetarët padyshim do të vlerësojnë punën tonë.

“Për ne ka rëndësi që PS të fitojë numrin e mandateve që edhe Kryeministri ka vendosur si sfidë për të gjithë ne. Padyshim edhe unë kam targetin tim në njësinë 7, ku përgjegjësia ime e parë dhe kryesore lidhet me kapjen e këtij targeti të Partisë Socialiste në njësinë 7. Për sa i përket garës brenda PS të gjithë kandidatëve, sidomos në Tiranë ku ka një numër shumë të lartë kandidatësh, 36 kandidatë, kjo na vë ne përballë gjykimit dhe votës së qytetarëve të cilët padyshim do të vlerësojnë punën tonë, integritetin tonë, profesionalizmin tonë dhe çfarë atyre u krijon besim për të patur si përfaqësues në Parlament”, theksoi Gjonaj.

Duke u ndalur në Reformën në Drejtësi dhe takimin virtual me zv.ndihmëssekretari Palmer Gjonaj tha kjo reformë vijon të mbetet prioritet dhe ka arritur rezultate të jashtëzakonshme.

“Reforma në Drejtësi jo për faktin se përmendet nga ne në fushatë, por vazhdon të mbetet prioritet. Reforma në Drejtësi do duhet të vijojë ashtu siç pritet nga të gjithë ne dhe nga qytetarët dhe nga partnerët ndërkombëtarë. Dje në takimin e organizuar nga Departamenti i Shtetit ku zv.ndihmëssekretari ishte prezent ku dha mesazhet e tij, mesazhet të gjithë aktorëve për sa i përket Reformës në Drejtësi. Të gjithë e dimë që Reforma në Drejtësi nuk është perfekte, ka ecur me ato ritme që ne e planifikuam, por ka arritur rezultate të jashtëzakonshme. Dhe këto rezultate gjithashtu u njohën dhe u mbështetën edhe nga Palmer në takimin dje të titulluar Kampionët e Drejtësisë. Dhe unë besoj që edhe nga mesazhi që Palmer përcolli, ku dha në mënyrë të shprehur mbështetjen e pakursyer të SHBA për zbatimin e Reformës në Drejtësi, ashtu siç është ideuar, ashtu siç është miratuar për të arritur rezultatet deri në fund. Ky është një mesazh i jashtëzakonshëm, ku kampioni i asaj tryeze është vetë reforma në drejtësi, janë vetë njerëzit që kanë punuar që në ideimin e saj dhe në zbatimin e saj deri në fund”, përfundoi Gjonaj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.