Qytetarët e Përmetit së shpejti me kinema të restauruar/ Sallë me 180 vende

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Qytetarët e Përmetit do të kenë së shpejti kinema, e cila do të jetë edhe një qendër kulturore artistike në shërbim edhe të fëmijëve të shkollave.

Kryeministri Edi Rama ndoqi sot nga afër punimet që po kryhen për rikonstruksionin e kinemasë së vjetër të qytetit.

Kryetarja e bashkisë së Përmetit, Alma Hoxha, tha sot se “falë projektit të IADSA, të qeverise italiane dhe bashkisë së Përmetit ka filluar puna për rikonstruksionin dhe përtëritjen e kinemasë së Përmetit”.

“Kinemaja ka qenë tërësisht jashtë funksionit. Projekti përfshin një rikonstruksion të plotë të kinemasë. Kemi sallën e kinemasë e cila nuk do të shërbejë vetëm si kinema, por do të jetë një qendër kulturore artistike dhe do të jetë në shërbim edhe të fëmijëve të shkollave. Salla përfshin rreth 180 vende. Përmetit i ka munguar prej vitesh një ambient i tillë. Përveç Pallatit të Sportit nuk kishim një ambient për të zhvilluar aktivitete artistike dhe kulturore”, nënvizoi Hoxha.

Sipas saj, pjesa e jashtme është pjesë e projektit të Bankës Botërore dhe të gjithë sistemit dhe rregullimit të lagjes.

“Gjëja e veçantë e kinemasë është se në hollin e saj do të kemi një minimuze ku do të ekspozojmë të gjitha aparaturat e vjetra të kinemasë”, shtoi Hoxha.

Pranë kinemasë ndodhej edhe një ndërtesë e vjetër, të cilën pronarët po e kthejnë në bujtinë.

Kryeministri Rama tha se “të gjitha këto modele janë modele që ne do të vazhdojmë t’i stimulojmë. Kjo familje, këta njerëz, që nga emigracioni kursimet e tyre po i investojnë këtu për këtë godinë fantastike që do të kthehet në një bujtinë, do të marrin të ardhura më shumë se ato që fitojnë atje me punë për të tjerë”.

“Të gjithë emigrantët duhet t’i kthejnë sytë nga shtëpitë e gjyshërve, stërgjyshërve dhe të investojnë kursimet e tyre për të bërë infrastrukturë mikpritjeje, agroturizëm, 100 % e garantuar që do të kenë më shumë fitime sesa duke qenë të punësuar në emigracion, ku mund të rrinë edhe për ca kohë, por do t’ia shikojnë hajrin tokës, vendlindjes dhe rrënjëve të tyre”, – tha Rama.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.