Pandemia/ Fico: Përhapja e infeksionit në 2 javë, zbritje nga 268 në 179 raste për 100 mijë banorë

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, deklaroi sot se ka një ulje të incidencës dyjavore nga 268 raste me COVID-19 për 100 mijë banorë, në 179 raste për 100 mijë banorë.

Duke folur për situatën epidemiologjike, Fico tha se “pozitiviteti i mostrës vazhdon të ulet”.

Ndërkohë, ajo theksoi se “mesatarja e rasteve të reja për javën që lamë pas ka rënë nga 342 në 141 raste të reja”.

“Vlen të theksohet se edhe numri total i rasteve aktive ka rënë në 29,618 nga 30,090. Por nga ana tjetër kemi vënë re që ka një rritje të numrit të bashkive të vogla të prekura dhe ky numër nga 32 ka shkuar në 38”, tha Fico.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.