Nis vaksinimi antikovid në Tiranë dhe në disa rrethe/ Farmacistët për ATSH-në: Të kënaqur për mundësinë, jemi grup i rrezikuar


TIRANË, 7 prill/ATSH/ “Mezi e prisnim këtë proces” thanë sot disa nga farmacistët e parë që morën vaksinën antikovid, ndërsa nisi procesi i vaksinimit të tyre në mjediset e stadiumit “Air Albania”.

Prej orës 11:00 të ditës së mërkurë ka nisur procesi i vaksinimit të farmacistëve dhe sipas planifikimit të bërë do të jenë rreth 50-100 farmacistë që do të vaksinohen ditën e parë. Farmacistët e përzgjedhur nga Urdhri i Farmacistëve janë të moshës mbi 55 vjeç, si dhe farmacistë të cilët kanë problematika të caktuara shëndetësore, ndërkohë që në ditët në vijim do të jenë të gjithë pjesëtarët e kësaj kategorie pjesë e këtij procesi.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ka vëzhguar nga afër vaksinimin antikovid, duke marrë edhe dëshmi nga farmacistët që iu nënshtruan procesit të vaksinimit.

Henrik Tabaku farmacist në qytetin e Tiranës shprehet i lumtur që mori vaksinën.

“Ne sot erdhëm për të bërë vaksinën. Na lajmëruan dje nga Urdhri i Farmacistëve. Proceduam sipas të gjitha rregullave, u identifikuam, u regjistruam, pasqyruam klinikën tonë mjekësore dhe më pas iu nënshtruan injeksionit. Nuk patëm vonesa”, – tha ai.

“Farmacistët janë një kategori që e kanë të domodsoshme për t’u vaksinuar, janë në kontakte të vijueshme me njerëz të cilët mund të jenë të sëmurë. Të gjithë duhet ta bëjmë vaksinën”, – tha Tabaku.

“Na lajmëroi drejtoresha e Urdhrit të Farmacistit, e pranuam me kënaqësi mundësinë për t’u vaksinuar. Është shumë mirë që ne ta bëjmë, të gjithë duhet ta bëjnë vaksinën, sepse i mbron nga një gjë e madhe. Farmacistët janë në përballje me një të keqe të madhe që ka prekur të gjithë, pandeminë, prandaj dhe vaksina duhet bërë. Dhe është e nevojshme të bëhet nga të gjithë. Ishte një përvojë shumë e mirë. Jemi të kënaqur, organizimi i përsosur. Sa më parë të bëhet vaksina, aq më shumë jetë njerëzish do të shpëtohen”, – tha një zonjë e intervistuar nga ATSH.

Klementina Ruçi, farmaciste në Tiranë, u shpreh se sa më shumë njerëz ta bëjnë vaksinën aq më mirë është. “Na njoftuan dje për orarin se kur duhet të vinim. Nuk patëm vonesa, gjithçka në rregull. Ne jemi persona risku, kemi kontakte me njerëzit e sëmurë dhe duhet të vaksinohemi sa më shpejt. Sa më shumë ta bëjnë vaksinën aq më mirë është. Tani do qëndroj 20 minuta për të parë nëse do të kemi ndonjë efekt”, – tha Ruçi.

“Unë jam Elizabeta, jam farmaciste prej 45 vjetësh. Na lajmëroi Urdhri i Farmacistëve. Ne jemi shumë të qetë që e bëmë sot. Ishte shumë e nevojshme, pasi ne kemi 1 vit e pak që shërbejmë dhe kemi të bëjmë me të sëmurët me COVID-19. Mezi e kemi pritur këtë proces. Tani jemi më të mbrojtur dhe më të qetë, sidomos dhe pas dozës së dytë. Nuk patëm vonesë. Gjithçka në rregull”, – u shpreh ajo.

Gjinovefa Duka, tha se është një organizim shumë i mirë.

“Tek ne vijnë vetëm të sëmurë. Nëse në grupet e tjera kanë një mundësi të mos kenë kontakt, të gjithë ata që vijnë tek ne janë përgjithësisht të sëmurë. Kush nuk e bën e ka gabim. Është një shërbim që duhet bërë. Ishte shumë e thjeshtë. Ishte fare normale, organizimi shumë i mirë, ambient shumë i mirë. Mund të ketë efekte si temperaturë apo të tjera, por janë normale”, – tha Duka.

“Jam farmaciste, erdha për vaksinën sot. Na njoftoi Urdhri i Farmacistëve. Jemi shumë në rregull, uroj të eci mirë. Jemi grup i rrezikuar dhe kemi prej një viti që kemi pandeminë dhe s’kemi qenë asnjë ditë pushim duke shërbyer. Duke qenë se situata është si është, ne i mirëkuptojmë vonesat. E meritojmë të vaksinohemi”, – tha një farmaciste tjetër për ATSH.

Kryetarja e Këshillit Rajonal Tiranë të Urdhrit të Farmacistëve, Laureta Zami shprehet se ky proces në rrethe ka nisur më herët dhe se pjesë e tij do jenë të gjithë farmacistët.

“Ne e kërkuam si të gjithë farmacistët, pasi vlerësojmë se janë njëlloj të rrezikuar si bluzat e bardha. Me pak durim na erdhi radha, shpresojmë që çdo gjë të shkojë mbarë”, – tha ajo.

“Jemi mbrojtur duke respektuar në maksimum të gjitha rregullat antikovid, duke respektuar dhe radhën e vaksinimit. Ne jemi në vijën e parë të frontit, duke ardhur çdo ditë në farmaci. Ne s’jemi shkëputur asnjë ditë nga puna. Bërja e vaksinës është një mbrojtje psikologjike dhe fizike. E pritëm me durim dhe shpresojmë që kjo gjë do të shkojë mbarë”, – vijoi ajo.

“Ka nisur vaksinimi i atyre që janë më të vjetër në moshë përgjithësisht, kemi një formular online dhe sipas radhës deri më tani, mund të vaksinohen 50-100 farmacistë. Do të vijojë procesi. Në Shqipëri janë 3 000 farmacistë dhe 1 800 në Tiranë. Në qytete e tjera ka nisur me më tepër faramacistë, në Gjirokastër, Korçë, Durrës. Disa prej kolegëve kanë nisur më herët. Në ditët në vijim është pjesa tjetër. ‘AstraZeneca’ është një nga vaksinat më të mira dhe duhet të jemi të qetë”, – tha Zami për ATSH. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.