Komiteti Teknik i Ekspertëve lë në fuqi masat ekzistuese antikovid/ Rakacolli: Shqipëria vendi i parë në rajon me vaksinimin

TIRANË, 7 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli deklaroi sot se “situata nuk është aty ku ne duhet të jemi dhe mendohet që masat antikovid do të vazhdojnë të mbeten në të njëjtin nivel siç kanë qenë më parë”.

Në një konferencë për shtyp, Rakacolli tha se “këtë herë nuk propozohet asnjë ndryshim masash”.

“E përsëris, do të mbetet në fuqi ora policore, dalja do të jetë deri në orën 20:00 dhe nga ora 20:00- 6:00 nuk do të ketë qarkullim me përjashtim të atyre që kanë probleme shëndetësore ose arsye të tjera pune. Baret dhe restorantet do të punojnë deri në orën 20:00, pastaj mund të vazhdojnë me shërbimin delivery”, tha ajo.

Rakacolli tha po ashtu se “do të kemi vazhdimësinë e mësimit online të universiteteve dhe të shkollave të mesme me përjashtim të maturave, që do të vazhdojnë mësimin duke u monitoruar në një mënyrë tepër të kujdesshme”.

Njëkohësisht, ajo tha se “fluturimet me Britaninë edhe këto 2 javë mbeten të pezulluara.

Rakacolli tha se “masat e propozuara nga Komiteti kanë qenë masa efikase dhe ky rezultat vjen edhe si bashkëpunim akoma më i mirë i zbatimit të masave nga qytetarët”.

Po ashtu, ajo veçoi si “një nga arritjet më të mëdha, fushatën e vaksinimit”.

“Shqipëria në 10 ditë ka zënë vendin e parë në rajon sa i përket ritmit të bërjes së vaksinimit. Duke ia kaluar edhe Serbisë e cila ishte e para në rajon. Pavarësisht këtyre arritjeve situata nuk është aty ku  duhet të jemi dhe mendohet se masat do të vazhdojnë të mbeten në të njëjtin nivel siç kanë qenë më parë”, tha ajo.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.