Greva në Rinas/ Ndreca: Braktisja e detyrës vepër penale, ka prapavijë politike

TIRANË, 7 prill/ ATSH/ Plarent Ndreca, kandidat për deputet i Partisë Socialiste në Tiranë, deklaroi se greva e kontrollorëve në Aeroportin Ndërkombëtarë të Rinasit është me prapavijë politike, ndërsa nënvizoi se kontrollorët kanë kryer vepër penale.

Ndreca gjatë një interviste televizive tha se në sektorin e kontrollorëve nuk mund të bëhet në këtë formë.

“Nëse është një grevë, nëse do të quhej e tillë, pasi ka disa definicione, kjo është braktisje e detyrës dhe është vepër penale. Është e ndaluar me ligj bërja e grevave në këtë sektor, Neni 19/ 5 i kodit të punës, e specifikon që ndalohet greva. Nëse nuk do të ishte e tillë, në çdo rast nuk bëhen këto penalizime”,- tha Ndreca.

“Nuk ndërpritet shërbimi minimal. E drejta e grevës ka për qëllim që të ndërgjegjësojë punëdhënësit për të drejtat e punëmarrësit. Shërbimi i kontrollit ajror është e asaj natyre që cënon drejtpërsëdrejti sigurinë ”, tha Ndreca.

Lidhur me deklaratat e Presidentit Ilir Meta, Ndreca se ndërhyrja e Kreut të Shtetit tregon se ka një prapavijë politike. “Aty ka një prapavijë që nuk është ligjore. Se ça pune ka Meta në këtë mes. Janë gjykatat. Se ça pune ka ai këtu se kuptoj. Kjo është tregues tjetër se dhe kjo duket se ka prapavijë politike ndaj këtij akti që është i paprecedent.”, pohoi ai.

“Punëdhënësi nuk është qeveria, është një Sh.A, dhe pjesë është dhe euro-kontrolli, si ortak në këtë kompani. Është Sh.A personi juridik që është punëdhënës. Është e drejtë civile që rregullohet me një kod pune, që nuk ndërhyjnë në politikat e qeverisë. Nëse ato do kishin marrë reagimi civile, por krejtësisht shproporcionale, duke cenuar të drejta publike dhe të drejta kombëtare, duke cënuar sigurinë kombëtare”,- tha Ndreca.

“Kjo protest siç duket po bëhet nga një grup personash, të cilët do mbajnë përgjegjësi ligjore, dhe nëse nuk janë një grup personash, por është bërë nga një sindikatë që do mbaj përgjegjësi penale edhe sindikata, duhet të theksojmë se e drejta jote ka kufirin aty ku cënohet e drejta ime dhe në këtë të drejtë që kanë ushtruar për të bërë grevë, kanë penguar të drejtën time për të lëvizur lirshëm. Apo akoma më tej, kanë cënuar sigurinë , duke përfshirë këtu dhe çështje gjeostrategjike…etj”,- tha Ndreca. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.