Greva në Rinas/ Balluku: Situatë e paprecedentë që cenon sigurinë kombëtare, nga 4400 $ dollarë sot paguhen 2490 $

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës, Belinda  Balluku deklaroi sot se “protesta e kontrollorëve të Albcontrol në aeroportin e Rinasit është një situatë e paprecedentë që ka cenuar sigurinë kombëtare të vendit dhe do të merren masat ligjore përkatëse”.

Në një konference për shtyp nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Balluku tha se, “greva e tyre për të kërkuar financim të pagës nga shteti vjen në një kohë që shteti nuk ka asnjë marrëdhënie involvimi financiar në AlbControl, pasi kjo e fundit të gjitha të ardhurat i merr nga trafiku ajror”.

“Trafiku në totalin e tij për shkak të pandemisë ra me 57 % në vitin 2020, ndërkohë që edhe në muajin janar, shkurt dhe mars trafiku ka qenë po me minus 57 %. Pra kontrollorët operojnë 43 % të trafikut normal”, theksoi ministrja.

Balluku tha se, “këta kontrollorë kanë pasur rroga deri në 4 milionë e 440 mijë lekë, kurse tani i kanë 2 milionë e 449 lekë”.

Ajo konfirmoi se shteti nuk i ka dhënë kurrë një qindarkë Albcontrol, ndërkohë që kontrollorët kanë marrë rroga anormale për Shqipërinë.

“Duke u përballur me këtë problematikë, këshilli mbikëqyrës i AlbControl, ka rishikuar pagat, për shkak se AlbControl, për një sqarim për publikun, është kompani që punon me instrumentin e fitimit zero. Kjo do të thotë se paratë që vijnë në AlbControl nuk vijnë nga buxheti i shtetit, po aq sa i duhen nga kompanitë ajrore. Një herë në qershor, e një herë në nëntor, deklaron pranë EuroControl se sa të ardhura i duhen gjatë vitit për të operuar, qofshin këto kosto operative, paga, pagesa të tjera, mirëmbajtje të sistemeve, energjia elektrike, dhe investimet”, – tha ajo.

“Sot marrin 2.449.000 lekë (të vjetra) ose 2490 dollarë. Për shkak të kësaj uljeje, kemi pasur presion nga kontrollorët që kërkonin kthimin e pagës në gjendjen e mëparshme. Ndërkohë kompania është në pamundësi financiare. Kjo kompani e ka detyrim ligjor të mos krijojë fitim, pasi nuk ka ku i krijon”, u shpreh Balluku.

“Investimet duke nisur nga marsi i 2020 nuk ka pasur në këtë kompani, pasi ka qenë e pamundur prej financave. Kostot operative janë ulur pasi kompanitë ajrore nuk kanë fluturuar. Për të qenë e saktë, paratë që vijnë nga trafiku ajror, vijnë sipas sasisë së operimeve të kryera”, – tha Balluku.

Sipas saj, kontrollorët e trafikut ajror në 2019 që ka qenë viti i fundit i rregullt, për sa i përket trafikut ajror ka  elaboruar, përpunuar, operuar në total gjatë vitit 216 mijë avionë. Ndërkohë që gjatë vitit 2020 dhe në fillim të këtij viti kanë operuar me 102 mijë avionë.

“Pra trafiku në totalin e tij  për shkak të pandemisë ka rënë me 57 % në 2020, ndërkohë që edhe në muajin janar, shkurt, mars që sapo është mbyllur trafiku ka qenë -57 %. Pra operatorët e navigimit ajror, kontrollorët e navigimit ajror përpunojnë sot që flasim, prej 14 muajsh 43 % të trafikut normal, i cili për herë të fundit ka qenë në Republikën e Shqipërisë, si në mbarë botën, deri në mars të 2020-ës.

Duke pasur parasysh se shteti nuk ka involvim financiar në Albcontrol, nuk merr të ardhura nga Albcontrol dhe nuk i ka dhënë kurrë asnjë qindarkë, pasi ky është një nga parimet e aderimit, në Eurocontrol që shtetet s’kanë asnjë lidhje, kontakt financiar me navigimin ajror.

Pra kontrollorët e trafikut ajror deri në 2019 kanë pasur paga të cilat arrinin edhe në 4 milionë e 440 mijë lekë, shifra që nuk janë shumë normale dhe që shumëkush habitet që ekzistojnë këto paga, ekzistojnë se nuk janë të lidhura me buxhetin e shtetit. Nuk janë në varësi të buxhetit të shtetit, ndaj dhe janë paga që vendosen në një marrëveshje mes Albcontrol dhe IATA (përfaqësuese e kompanive ajrore).

Pra këto paga kanë marrë shembull disa nga punonjësit, të cilët kanë qenë nën nivelin e rreth 4400 dollarë rroga. Sot janë në nivelin, për shkak se përpunohen vetëm 43 % e trafikut ose -57 % më pak, sot marrin 2 milionë e 449 mijë lekë, ose 2 mijë e 490 dollarë”, – tha Balluku.

Ajo deklaroi se “për shkak të kësaj uljeje ne kemi pasur në vazhdimësi një person nga kontrollorët e trafikut ajror që kërkonin kthimin e pagës në gjendjen e mëparshme. Pra shfuqizimin e vendimit të Këshillit Mbikëqyrës të datës 4 prill 2020 dhe vendosjen edhe një herë të pagës së mëparshme. Ndërkohë që kompania është në pamundësi financiare. Kjo kompani merr para nga kompanitë ajrore të tjera vetëm për trafikun që përpunohet. Kjo kompani e ka detyrim ligjor të mos ketë depozita dhe nëse në fund të vitit kompania nuk ka përdorur paratë e deklaruara si të nevojshme për kostot operacionale dhe për investime, është detyrim ligjor që t’i rikthehen kompanive”.

Pra në mbyllje të vitit financiar Albcontrol nuk ka të drejtë që të ketë para mënjanë. Pra fitimi është zero.

Në këto kushte theksoi ajo, drejtuesit e kompanisë janë ulur disa herë për të folur me kontrollorët e trafikut ajror të cilët, pse kanë vite që punojnë në këtë kompani duhet të kishin qenë shumë të qartë që kompania nuk ka as depozita dhe të ardhura për t’u dhënë atyre para, dhe në këto kushte ata janë të qartë që përpunojnë vetëm 43 % të trafikut sot.

“Megjithatë kontrollorët janë shprehur se “nëse nuk kanë 4 mijë usd në dispozicion stresohen dhe nuk punojnë dot””, – theksoi Balluku.

Ndërsa bëri të ditur se dje është bllokuar trafiku ajror në Republikën e Shqipërisë dhe për të vënë nën presion shtetin shqiptar kanë vendor të bëjnë një akt i cili quhet paaftësi për të operuar.

“Pra kanë deklaruar se janë të paaftë për të operuar për shkak se ndihen në stres për vështirësinë financiare që i ka rrezikuar kredinë, probleme familjare si pasojë  e vështirësisë financiare, pra ka vështirësi se nuk merr 4 mijë usd por 2 mijë e 490 usd, dhe ky është problem në familje se kjo e ardhur është në familje dhe meqenëse nuk i dalin këto të ardhura ka aplikuar për borxh tek familjarët”, – tha Balluku, ndërsa vuri në dukje se të tjera deklarata si kjo janë dorëzuar dje në drejtori.

Albcontrol është e vetmja kompani e sigurisë së lartë që ofron shërbim jetësor në vendin tonë. Kështu që Kodi i Punës e ka të sanksionuar qartë se “greva nuk mund të ushtrohet në shërbimet jetike, ku ndërprerja e punës rrezikon jetën, personale ose të një pjese të popullsisë”, – u shpreh Balluku.

Ajo tha se pika e dytë e këtij neni thekson se “sipas Kodit të Punës, shërbimet e trafikut ajror që konsiderohen jetësore nuk mund të ushtrojnë grevë“.

Dhe pavarësisht se është gjetur kjo mënyrë e tyre se janë të stresuar se marrin 2490 USD në muaj dhe pavarësisht se kanë gjetur këtë mënyrë për të thënë se janë të paaftë për operuar, kjo është një grevë e pastër ilegale në thyerje të Kodit të Punës.

Është një grevë, sepse janë deklaruar të gjithë në të njëjtin moment dhe model kërkese, duke futur në kolaps sistemin e navigimit ajror në Republikën e Shqipërisë.

“Sot në aeroportin e Rinasit në sajë të kësaj fushate, brenda fushatës elektorale, për të prishur imazhin e Shqipërisë po afektohet e gjithë popullsia. Pra nuk mund të vijnë vaksinat në aeroportin e Rinasit, sot nëse dikush është i sëmurë dhe do të shkojë për kurim jashtë nuk mund të lëvizë, sepse kontrollorët e trafikut ajror janë shumë të mërzitur se paga e tyre është vetëm 2490 USD. Sot dikush që ka humbur jetën jashtë vendit nuk mund të vijë të varroset në vendin e tij se Sali Berisha, ashtu si edhe herë të tjera, ka përdorur një gjuhë ekstremisht të ashpër duke gëzuar gjithmonë në problemet që ky vend haste”, – tha Balluku.

“Unë do t’i kërkoja Presidentit të Republikës, që edhe i ka takuar kontrollorët e trafikut ajror dhe ka kërkuar informacion nga Albkontroll dhe e ka marrë këtë informacion, që të shprehet publikisht për këtë situatë.

Pra a mundet shteti të kompensojë kontrollorët kur nuk ka pasur kurrë involvim financiar me këtë ndërmarrje? A mundet sot shtetit të kapet peng nga një grup njerëzish të cilët kërkojnë që të marrë secili prej tyre 15 rroga?” – deklaroi ajo.

60 persona, sqaroi Balluku, kërkojnë rrogë sa 600 shqiptarë.

“Do të doja të dija nga zoti Meta se a mendon se duhet të bllokohet trafiku në Republikën e Shqipërisë, dhe këtu të mos vijë vaksina, të mos lëvizë askush? A duhet vallë vendi të kapet peng sot nga disa persona të clët janë të pakënaqur dhe janë shumë të stresuar me pagën 2490 USD dhe nëse nuk ua bëjmë 4400 USD, atëherë ata do të mbajnë vendin peng?” – u shpreh Balluku.

“Unë erdha të flisja me kontrollorët e për t’iu thënë se kjo nuk është një lojë. Sot këtu preket çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë. Këtu preket siguria kombëtare e vendit dhe këtu është prekur edhe e drejta e lëvizjes së lirë të qytetarit”, – vijoi ajo.

“Nga ky moment do të marrim disa masa të rëndësishme ligjore, të cilat nuk do të jenë të mira për askënd. Navigimi ajror është një sektor shumë i rëndësishëm në të cilin janë investuar ndër vite shumë në burimet njerëzore”, – tha Balluku.

“Të gjithë ata të kontrollit ajror janë të trajnuar në akademitë më të mira dhe kanë punuar me vite për të marrë licencën e vlefshme, janë të trajtur sipas skemës së kompetencës dhe Kodit të Punës. Ata punojnë 17 ditë në muaj dhe kanë përveç 28 ditëve pushim edhe 7 ditë pushim dhe shumë privilegje të cilat i kanë në respekt të kësaj pune të rëndësishme por edhe përgjegjshmërisë që duhet të tregojnë”, – vijoi ajo.

Balluku tha se është dialoguar me kontrollorët e trafikut ajror gjatë gjithë kohës dhe i është dhënë e gjithë mënyra sesi do të kthehen në parametrat e mëparshëm.

“Në aviacion ecet me shifra dhe parashikime që dalin nga trafiku ajror. Atyre i është dhënë një dokument me të gjitha skenarët e mundshëm sesi do të vijojë trafiku ajror, për t’i dhënë zgjidhje edhe këtij problemi, ndonëse shumë shqiptarëve ky problem iu duket absurd se si kërkohet t’i jepet zgjidhje një problemi për të marrë edhe 2000 USD më shumë, kur ti i merr 2490 USD. E di që duket absurde, por është për të gjithë atë përgjegjësi që mban kontrolli i trafikut ajror”, – tha Balluku.

“Megjithë të gjitha këto negociata, në një mënyrë të paprecedentë lanë punën duke u kujdesur që të mos quhet grevë, por fatkeqësisht quhet grevë, pasi është e organizuar. Unë pashë në tavolinë që donin të ktheheshin, ashtu sikurse pashë nga salla të tjerë që thonin mbaruam, nuk ka zgjidhje, nuk duam t’ju dëgjojmë”, – tha Balluku.

“Kjo është një situatë që rëndon çdo qytetar të Shqipërisë dhe është një situatë që futet në cenimin e sigurisë kombëtare dhe cenon lëvizjen e lirë. Megjithatë ne do të marrim masat dhe ndëshkimet përkatëse. I bëj thirrje kontrollorëve që të kthehen në detyrë gjatë ditës së sotme për të stabilizuar situatën dhe vazhduar punën për të cilën janë paguar prej vitesh”, – tha Balluku.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.