Greva e kontrollorëve në Rinas/ Rama: Organizatorët do të kallëzohen penalisht, duan mbylljen e aeroportit për të mos ardhur vaksinat. Reagojnë Meta e Basha

TIRANË, 7 prill/ ATSH/ Kryeministri Edi Rama mbrëmjen e sotme u bëri apel kontrollorëve të Rinasit, të ndahen nga ata që i futën në këtë lojë të çmendur me zjarrin.

Rama tha se “kush nuk kthehet në punë nesër, nuk do gjejë më vend në Albcontrol”.

“Apel për kontrollorët e Rinasit: Ndahuni nga ata që ju futën në këtë lojë të çmendur me zjarrin! Braktisini në rrugën e tyre qorre organizatorët e kallëzuar penalisht! Kush nuk kthehet në punë nesër, nuk do gjejë më vend në Albcontrol. Koha e rrumpallës ka vdekur dhe nuk kthehet”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi paraditen e sotme “sabotim i rëndë i aktivitetit të aeroportit “Nënë Tereza” që nuk do të tolerohet” grevën e kontrollorëve që ka bllokuar trafikun ajror.

“Frymëzuesit e kësaj lëvizjeje të çartur çartiste, Saliu që gjuan me gurë digjitalë dhe Iliri, që hedh gurin e markës “Leshko” dhe fsheh dorën, duan mbylljen e aeroportit për të mos ardhur vaksinat!”, u shpreh Rama.

“Organizatorët do të kallëzohen penalisht dhe do të përballen me ligjin, që ndalon rreptësisht ndërprerjen e aktivitetit të kullës nga ana e kontrollorëve! Të tjerët duhet të vendosin menjëherë: O me shtetin në punë, o me antishtetin në një proces penal për cenim të sigurisë kombëtare!”, tha Kryeministri Rama.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku paralajmëroi më herët se për bllokimin e trafikut ajror në Rinas nga greva e kontrollorëve do të merren masa ligjore, pasi ky është cenim i sigurisë kombëtare.

Meta: Ndërprerja e punës nuk është zgjidhje, injorimi i kërkesave të kontrollorëve nuk është e drejtë

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për situatën e krijuar në Rinas, ku janë ndërprerë të gjitha fluturimet për shkak të grevës së punonjësve të Albcontrol.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Meta shprehet se ndërprerja e punës së trafikut ajror nuk është zgjidhje.

“Jam shumë i shqetësuar për situatën, që po zhvillohet me ndërprerjen e shërbimeve të fluturimeve ajrore për shkak të reagimit të Sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Transportit Ajror, të cilët duket se nuk kanë arritur një dakordësi me Qeverinë dhe organet drejtuese të “Albcontrol”, lidhur me kërkesat e tyre. Ndërprerja e punës për monitorimin dhe kontrollin e Trafikut Ajror nga kontrollorët e “Albcontrol” nuk është zgjidhje. Siguria e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, është çështje e sigurisë kombëtare. I kam paralajmëruar publikisht dhe zyrtarisht të gjitha institucionet përgjegjëse të Qeverisë se duhet të merrnin masa konkrete për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështje. Injorimi i kërkesave të kontrollorëve nuk është e drejtë”, tha ai.

“Edhe pse askush nga institucionet përgjegjëse nuk ka treguar sinqeritet dhe gatishmëri për të diskutuar në kohë me anëtarët e Sindikatës së kontrollorëve të trafikut ajror lidhur me shqetësimet e tyre, ritheksoj edhe një herë se është e domosdoshme që kontrollorët duhet të qëndrojnë në detyrë pa asnjë ndërprerje dhe të përmbushin misionin e tyre për të garantuar funksionimin e përshtatshëm dhe pa asnjë problematikë të kontrollit të trafikut ajror shqiptar”, deklaron Meta.

Ai thekson se “në çdo kohë dhe pa ndërprerje të garantohet cilësia dhe objekti i punës së “Albcontrol” për administrimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë për fluturimin ajror civil dhe ushtarak, në përputhje me standardet e pranuara ndërkombëtare. Republika e Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s, ka përgjegjësinë dhe detyrimin, që të garantojë, që hapësira ajrore e saj të konsiderohet në çdo kohë e sigurtë për fluturimet ajrore. Nuk duhet të lejohet asnjë rrezik për cenimin e sigurisë dhe mirëqarkullimit të hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, sidomos në kushtet kur për pak ditë në Shqipëri do të nisë përgatitja dhe zhvillimi i stërvitjes së përbashkët të forcave të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të vendeve partnere të kësaj organizate “Defender Europe 21”, nga ku pritet që trafiku ajror në vendin tonë të rritet ndjeshëm, si në fluturimet ushtarake, edhe në ato civile”.

“Qeveria dhe Organet Drejtuese të “Albcontrol”, duhet të vlerësojnë me seriozitet dhe shumë kujdes kërkesat e kontrollorëve, qëndrimet zyrtare që ATCEUC-Kontrolluesit e Trafikut Ajror dhe Koordinimit të Bashkimit Europian, për gjetjen e zgjidhje të drejtë, duke ju referuar praktikave më të mira të vendeve fqinje, për trajtimin e kontrollorëve të trafikut ajror në këtë kohë krize globale të shkaktuar nga Covid-19, ku para së gjithash primare duhet të jetë garantimi i sigurisë së fluturimeve në hapësirën ajrore shqiptare”, shprehet Meta.

Presidenti Ilir Meta u bëri pasditen e sotme u bëri thirrje kontrollorëve të trafikut ajror të hapësirës shqiptare të qëndrojnë në detyrë.

“Nuk duhej të ndodhte, pasi cënon seriozisht jo vetëm detyrimet e shtetit ndaj qytetarëve vendas dhe të huaj, jo vetëm mund të cënojë sigurinë kombëtare por dhe sigurinë ndërkombëtarë, jemi vend anëtarë i NATO-s kemi detyrimet tona dhe sigurisht është një mesazh shumë i gabuar dhe një lënie nervash nga të dyja palët”, tha Meta gjatë një konference për mediet nga Vlora.

Meta theksoi se prej më shumë se 10 muajsh sindikata e kontrollorëve ka ngritur shqetësimet e saj, ndaj institucioneve, por edhe ndaj atyre europiane, ku ne jemi pjesë dhe kemi detyrimet tonë dhe janë mjaft të vëmendshëm ndaj hapësirës sonë që është edhe e NATOS njëkohësisht.

Për fat të keq, tha Meta, nuk ka patur asnjëherë një dialog midis palëve.

“Unë jam njoftuar disa herë, kam kërkuar sqarime dhe duke parë problematikën si pa zgjidhje kam pritur në një takim një përfaqësi të tyre. Ata nënvizonin faktin se të drejtat e tyre ishin cënuar dhe kundërshtonin pezullimin e të drejtave të fituara për një periudhë të pacaktuar. Për më shumë se 10 muaj, sipas tyre, askush nuk kishte treguar gadishmëri për të komunikuar me sindikatën lidhur me çështjet e ngritura prej tyre”, tha Meta.

Sipas Metës, kam vënë në dijeni institucionet përgjegjëse shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtar.

“Kam theksuar se kjo situatë duhet parë me shumë vëmendje, pasi mund të mbartë rreziqe potenciale të cënimit të sigurisë dhe mirëqarkullimit të sigurisë së qarkullimit të hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë që s’duhet të ndodhë për asnjë sekondë, sidomos në kushtet kur përveç gjitha arsyeve të tjera që kanë të bëjnë me mospengimin e qytetarëve për të lëvizur, por edhe se do të nisë edhe përgatitja dhe zhvillimi i stërvitjes së përbashkët të vendeve të NATO-s dhe ku pritet që trafiku ajror të rritet ndjeshëm”, bëri të ditur Meta.

Ndërkohë, vijoi Meta, u kam bërë apel kontrollorëve të trafikut ajror që të vazhdonin të ushtronin detyrën e tyre pa asnjë ndërprerje dhe me përgjegjshmëri të lartë, pasi siguria e fluturimeve ajrore në hapësirën territoriale shqiptare është një çështje jetike për qytetarët tanë, çështje madhore e sigurisë kombëtare, por edhe e detyrimeve tona si vend anëtar i NATO-s dhe njëkohësisht në nivel europian.

“Në çdo kohë dhe pa ndërprerje duhet të garantohet cilësia dhe objektivi i punës së AlbControll për administrimin e kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë për fluturimin ajror civil dhe ushtarak në përputhje me standardet ndërkombëtare. U kam thënë të vazhdojnë punën pavarësisht cënimit të të drejtave të tyre, sepse do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje të drejtë me durim dhe është detyrim i juaji që të bëni çdo gjë që të kalojmë këtë situatë të vështirë dhe më pas të drejtat do t’i rifitoni”, theksoi ai.

“U kam thënë kontrollorëve që të vijonin të ushtronin detyrën e tyre pa asnjë ndërprerje, pasi kjo është një çështje jetike dhe madhore për sigurinë kombëtare, por dhe detyrim madhor si anëtar i NATO-s. Në çdo kohë duhet të vijojnë punën, pavarësisht cënimit të të drejtave, pasi do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje dhe se ishte detyrim i tyre të vijojnë punën dhe jo për hatër të qeverisë apo meje. U kam kërkuar që qeveria dhe institucionet përgjegjëse të japin zgjidhje përmes dialogut”, tha Meta.

Rama-Metës: Je një nga dy nxitësit e kësaj goditjeje të çmendur

Kryeministri Edi Rama reagoi pas deklaratës së Presidentit Meta, i cili tha se injorimi i kërkesave të kontrollorëve nuk është e drejtë.

“Ilir, dokrrat me injorimin e kërkesave të pseudosindikatës së kontrollorëve dhe predikimet për mosndërprerjen e punës në aeroport nuk pinë ujë! Je një nga dy nxitësit e kësaj goditjeje të çmendur, në kërkimin e palodhur të rrëzimit të qeverisë e të vetë shtetit! T’i harrosh të dyja”, deklaroi Rama.

Presidenti Ilir Meta reagoi duke publikuar një letër të cilën sipas tij, ia ka dërguar Kryeministrit Rama.

“Qeverisë së 1 Prillit do t’ia jap sot pasdite nga Vlora përgjigjen për çështjen e Aeroportit të Rinasit, si çështje shumë e rëndësishme e sigurisë kombëtare dhe e detyrimeve ndërkombëtare. Nëse është hapur Aeroporti i Vlorës, konferencën e shtypit do e bëjmë atje, por nëse jo, në një ambient tjetër të përshtatshëm për të cilin gazetarët do të njoftohen në kohë. Ftohet dhe “Tërmeti” të marrë pjesë për shkak të përvojës së tij me aeroportet, fluturimet dhe jo vetëm”, u shpreh Meta.

Kryeministri Rama tha se “humoret vulgare të IM ndërkohë që një grup i nxitur prej tij dhe Saliut, kanë kryer aktin e rëndë të bllokimit të aktivitetit të aeroportit “Nënë Tereza”, thjesht rikonfirmojnë se IM është nxitës i kësaj goditjeje të çmendur e s’ka shqiptar që s’e kupton pse! Po s’do ia dalin jo!”

Basha: Rama përgjegjës për këtë

Kreu i PD, Lulzim Basha reagoi për grevën e punonjësve të Albcontrol duke u shprehur se pas kësaj situate qëndron Kryeministri Edi Rama.

“Rama e di tashmë fare mirë se do të humbasë, prandaj po përdor çdo marifet të pisët. Pas grevës në aeroport që dëmton qytetarët shqiptarë qëndron vetë Rama. Ai është i vetmi përgjegjës për këtë. I bëj thirrje Ramës ta ndërpresë menjëherë grevën dhe të ndalë kërcënimet ndaj shqiptarëve që sot duan ndryshim dhe shpresë pas 8 viteve të dështimeve të tij”, tha Basha.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.