“Bllokimi i Rinasit, dukshëm politik”/ Kadia: Kemi propozuar rritje page me 20% në korrik dhe me 5% të tjera në shtator

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, njëkohësisht anëtar bordi i AlbControl, Besart Kadia deklaroi sot se kemi propozuar sindikatës rritje të pagës me 20% në muajin korrik dhe me 5% të tjera në shtator.

Gjatë një debate televiziv, Kadia tha se kontrollorët marrin sot një pagë që është 4-fish i pagës mesatare në Republikën e Shqipërisë, kur kontrollorët në vende të tjera e kanë 2-fishi i pagës mesatare në vend.

“Ata po kërkojnë tu kthehet paga aty ku ishte. Janë në negociata. Iu është bërë me dije, iu është shpjeguar teknikisht situata financiare. Duke qenë se ka rënë trafiku ajror me 50%, të ardhurat që ne kemi nuk janë të mjaftueshme. Ju është dhënë edhe një ofertë që kur të rikthehet trafiku ajror të rikthehen pagat në të njëjtin nivel. Me parashikimin e bërë nga Eurocontrol ekzistojnë dy skenarë, trafik të ulët dhe trafik mesatar. Ndërsa për tu rikthyer aty ku ishim në 2019 do të duhen edhe 5 vite të tjera. Kjo është situata financiare. S’ke avionë që ulen, je në emergjencë, je në pandemi ke problematika shumë më të mëdha dhe merr një vendim jo etik, gjykoj, për arsye personale të 60 kontrollorëve pa parë çfarë pasojash sjell për qytetarët që presin shërbimin dhe vaksinat, por edhe në ekonomi”, shpjegoi Kadia.

Sipas tij, Sindikatës i është propozuar që për dy-tre muaj kur të rikthehet aktiviteti ajror pas vaksinimit edhe pagat do të rriten me 20-25%.

“Ju e morët vëmendjen, qëllimi juaj ishte të tërhiqni vëmendjen edhe pse ishit në negociata që do të thotë se e kishit vëmendjen, kthehuni nesër në punë dhe vijoni negociatat”, iu drejtua Kadia avokatit të kontrollorëve.

Nga ana tjetër, Kadia theksoi se bllokimi i trafikut ajror paraqitet si pretekst ekonomik, por është dukshëm politik.

“Vëmendja që u kërkua dhe mospranimi që është grevë patjetër që ka marrë përmasa politike. Koicidencat nuk janë të pakta”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.