Bllokimi i fluturimeve/ Braçe: Politikë e pastër e një dysheje që po e dhunon këtë vend, Berisha dhe Meta

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Zëvendëskryeministri Erion Braçe deklaroi sot se siguria kombëtare dhe siguria e jetës nuk u besohet më kontrollorëve të trafikut ajror që bllokuan fluturimet përgjatë ditës së sotme, ndërsa theksoi se kjo lëvizje është politikë e pastër dhe e një dysheje që po e dhunon këtë vend, Sali Berishës dhe Ilir Metës

“Llasticat pengmarrëse të Rinasit! A i besohet më këtyre njerëzve? A i besohet më siguria kombëtare këtyre njerëzve? A i besohet më siguria e jetës së gjithkujt këtyre njerëzve? Kurrë më, për asnjë rrogë, për asnjë rritje rroge”, deklaroi ai.

Këta njerëz, sipas Braçes, kanë humbur besimin e gjithkujt, çdonjërit. “Siguria Kombëtare dhe siguria e jetës nuk i besohet më këtyre njerëzve. Pra, nuk është më çështje parash, është pastër çështje besimi. Imagjinoni të jeni në ajër dhe disa prej këtyre të thonë: rrini aty në ajër sa të marrë unë ca lekë, ose kthehu pas sa të marrë unë ca lekë. Këtu vdes besimi te ta”, u shpreh zv/kryeministri.

Braçe nënvizoi se dhjetëra njerëz sot mbeten andej dhe këtej kufiri, të sëmurë, në situatë kurimi, në situatë planifikimi ndërhyrjesh kirurgjikale, por edhe më keq, i shuar e në arkemort në udhëtimin e fundit për në këtë vend.

“Është kriminale! Çnjerëzore! Është politikë e pastër dhe e një dysheje që po e dhunon këtë vend, Sali Berishës dhe Ilir Metës”, theksoi ai.

Një pyetje kam për çdokënd në këtë vend, vijoi Braçe, këtë doni?

“Do e lini veten, jetën tuaj në dorë të dy politikanë që për pesë lekë më shumë rrezikojnë jetën tuaj?”, tha ai.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.