Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë, tërësisht e rilindur/ Tjetër destinacion për të gjitha moshat e për turistët e “Parisit të Vogël”

TIRANË, 6 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Mësonjëtoren e Parë Shqipe në Korçë, që tanimë është rilindur edhe më e fortë, edhe më e bukur, edhe më tërheqëse pas goditjes së tërmetit, si një tjetër destinacion për të gjitha moshat e për turistët e “Parisit të Vogël”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, që shoqëroi Kryeministrin gjatë kësaj vizite, tregoi mbi punimet e rinovimit të ndërtesës pas dëmeve nga tërmeti dhe rivendosjen e aseteve historike që mbart Mësonjëtorja.

Margariti e informoi Kryeministrin se pas restaurimit të plotë të godinës dhe ambienteve të brendshme me të gjithë elementët përkatës historikë dhe me sistem të dixhitalizuar, është përgatitur edhe platforma për vendosjen e shkronjave që janë simbol i kahershëm i këtij muzeu që gjenden në hyrje të muzeut.

“Mbi platformën e përgatitur do të vendosen shkronjat dhe pena ashtu siç kanë qenë që në krye të herës, ndërsa për momentin janë pozicionuar në hapësirën e gjelbër të pjesës së jashtme të muzeut, sa të përfundonte restaurimi i plotë i objektit”, tha ministrja.

Sipas saj, tashmë edhe hapësira e jashtme është plotësisht e ndriçuar dhe e rregulluar, duke qenë një muze i vizitueshëm në çdo kohë dhe për grupmosha të ndryshme.

Margarti theksoi se asgjë nuk është lëvizuar dhe objektet janë vendosur ashtu sikurse kanë qenë.

Rama u shpreh se, “me vendosjen e shkronjave aty ku kanë qenë, punimet për restaurimin e Mësonjëtores së Parë Shqipe, përfundojnë plotësisht”.

Nuk ka asnjë të vërtetë se shkronjat e Mësonjëtores janë lëvizur dhe hequr.

“Si shpjegohet që kur janë duke rënë, kur janë me merimanga, me mbeturina, si nuk ngrihen një herë, por sa rregullohen gjërat menjëherë ngrenë gishtat. Ça janë këta, nga vijnë këta dhe trazojnë mendjet e gjithë njerëzve?” – tha Rama.

Ministrja u shpreh se, “të simbolizosh një godinë të tillë dhe një ndërhyrje që nuk kishte ndodhur që në 1997-ën, vetëm me simbolin e disa shkronjave, është fatkeqësia politike që para çdo pune të mirë bën zhurmë”.

Margariti tha se, “rindërtimi ka përfshirë restaurimin muzeor të gjithë këtij objekti. Është hera e parë që kemi në një muze hapësirë dedikuar bibliotekës, që frekuentohet nga komuniteti. Kemi mbi 750 tituj që i janë dhuruar kësaj biblioteke”.

I gjithë restaurimi i godinës është bërë me fonde nga buxheti i shtetit, çatia dhe oxhaku patën dëmtime të konsiderueshme nga tërmeti.

Në njërën nga dhomat, tha ajo, është vendosur një bankë shkolle, simbolikë se si është mësuar në atë kohë. Ndërsa pjesa muzeale ka objekte historike origjinale. Gjithashtu, informoi Margariti, është implementuar sistemi dixhital që nëpërmjet kodit mund të merret informacion për çdo element të këtij muzeu.

Ndërkohë, janë vendosur ambiente ku nëpërmjet kufjeve mund të dëgjohen pjesë audio të materialeve letrare të asaj kohe.

Sipas saj, ky muze për herë të parë ndërthur të gjithë tregimin dixhital të historisë, ndërsa vend të rëndësishëm zënë edhe pikturat origjinale, disa prej të cilave i përkasin vitit 1890, që janë restauruar në kohë të ndryshme.

“Ky është një muze që fton të gjithë qytetarët ta vizitojnë dhe të mbajnë gjallë kujtimin historik të Mësonjëtores”, u shpreh ministrja Margariti. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.