Leskoviku, një tjetër hapësirë e prekur nga Rilindja Urbane

TIRANË, 6 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndaloi sot në Leskovik, në një tjetër hapësirë të prekur nga Rilindja Urbane.

“Kënaqësi kjo ndalesë me njerëzit e qytezës së bukur mes maleve, në një tjetër hapësirë të prekur nga Rilindja Urbane”, tha Rama.

Ai foli me qytetarët mbi procesin e vaksinimit, ndërsa i informoi se për moshën nën 70  vjeç, vaksinimi antikovid do të fillojë këtë javë.

Duke folur për investimet në këtë qytezë, kryetari i bashkisë së Kolonjës, Erion Isai tha se “pedonalja e Leskovikut është pjesë e Rilindjes Urbane”.

“Kemi firmosur ditën e martë, bashkia e Kolonjës, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim dhe fillojmë edhe rrugën Ersekë-Leskovik, si pjesë e aksit të rilindjes”, tha ai.

Isai tha po ashtu se, “ka filluar punë edhe nënstacioni elektrik, investim i OSHEE-së që zgjidh njëherë e përgjithmonë për gjithë krahinën e Leskovikut, problemin e kahershëm të furnizimit me energji. Për 6 muaj ky problem do jetë i zgjidhur në qytetin e Leskovikut”.

Ndërkohë, Isai tha se bashkia e Kolonjës me Ministrinë e Financave ka investuar për kthimin e ish-çerdhes së qytetit, nga një godinë e rrënuar, në pallat social, ku do të strehohen familje të pastreha.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.