Dieta Atlantike zvogëlon rrezikun kardiovaskular

ROMË, 6 prill /ATSH-ANSA/ – Dieta Atlantike, tipike e Galicisë dhe Portugalisë Veriore, e pasur me peshk, mish, produkte qumështi, perime, bishtajore, patate dhe bukë gruri, lidhet me vdekshmërinë më të ulët te të rriturit e të moshuarit, sipas një hulumtimi të botuar në revistën BMC Medicine nga Universiteti Autonom i Madridit dhe institutet Ciberesp e Imdea.

Një studim i mëparshëm i kryer nga të njëjtët studiues vërejti se ndjekja e një diete atlantike ishte e lidhur me më pak raste të mbipeshes, vlera më të mira të disa faktorëve të rrezikut kardiovaskular, si kolesteroli, trigliceridet dhe presioni i gjakut, si edhe me një rrezik më të ulët të infarktit të miokardit.

Studimi analizoi 3 165 njerëz mbi 60 vjeç për më shumë se 10 vjet.

Studiuesit zbuluan se personat që ndoqën dietën atlantike kishin një normë vdekshmërie 33% më të ulët se ata, dietat e të cilëve ndiqnin parime të tjera.

Dieta Atlantike përfshin një konsum të rregullt të peshkut, mishit, produkteve të qumështit, produkteve të kopshtit, si patate, perime dhe bishtajore, bukë gruri, thekre, misri dhe përfshin konsumin e verës gjatë vaktit./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.