Në mandatin e tretë, rritje me 40 % e pagave për mësuesit dhe bluzat e bardha

TIRANË, 15 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, PS do të rrisi sërish paga e mësuesve dhe të bluzave të bardha rriten me 40 % në mandatin e tretë të Partisë Socialiste.

Në takim e zhvilluar sot me temë, “Pagat, taksat dhe biznesi në Planin e Veprimit 2021-2025”, Rama tha se “qeverisja jonë mendon për atë pakicë që çon pagën në shtëpi dhe jo për ata që kanë nga 3 shtëpi për t’u çlodhur”.

“Në këto dy mandate ne i ulëm taksat mbi pagën dhe rritëm pagën e mjekëve dhe infermierëve në spitale 63 %, të infermierëve dhe laborantëve në qendrat shëndetësore 68 %, mjekëve parësorë i rritëm pagat me 57 %, të mësuesve me 32 %, punonjësve të Policisë së Shtetit me 46 %”, – u shpreh Kryeministri.

“Jam unë i pari, nuk janë mjekët dhe infermierët, as mësuesit dhe policët, që e di, që megjithatë nuk mjafton dhe prandaj në mandatin e tretë pagat e mësuesve do të rriten edhe 40 % më shumë dhe po ashtu 40 % më shumë do të rriten edhe pagat për bluzat e bardha”, – tha Rama.

Ndërsa vuri në dukje se “rritja e pagave të mësuesve dhe mjekëve kanë njohur në fakt rritjen më të lartë historike në këtë mandat të dytë të PS-së”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.