COVID-19 – Efektshmëri e lartë e vaksinave si në provat klinike ashtu edhe në jetën reale

UASHINGTON, 9 mars /ATSH/ – Më shumë se 380 milionë doza të vaksinës së koronavirusit janë administruar në të gjithë botën dhe gati 67 milionë njerëz kanë marrë regjimin e plotë me dy doza, shkruan vanityfair.it.

Pas gati tre muajsh vaksinimesh në Amerikën e Veriut, Europë, Izrael dhe vende të tjera del se efektet anësore të tyre janë minimale.

Izraeli ka treguar se vaksina Pfizer/BioNTech funksionon në kushte të jetës reale ashtu si në provat klinike: vaksina mund të parandalojë në mënyrë efektive formën më të rëndë të COVID-19, shtrimet në spital dhe vdekjet, madje edhe përballë mutacionit të variantit britanik.

Në mënyrë të ngjashme studiuesit në Britani kanë arritur në përfundime të tilla duke ofruar të dhëna të efikasitetit për njerëzit që kanë marrë vetëm një dozë të barnave Pfizer apo edhe AstraZeneca.

Sa për efektet anësore, më të zakonshmet e hasura përfshijnë dhimbje në vendin e injektimit dhe simptoma të shkurtra të ngjashme me gripin, veçanërisht pas dozës së dytë.

Studiuesit bënë të ditur se një efekt anësor specifik i butë i vaksinës COVID-19 mund të shfaqet disa ditë pas dozës së parë ose të dytë, sesa menjëherë: probleme të lëkurës, duke përfshirë dhe skuqjet. Këto reaksione anësore u vunë re, në veçanti, pas administrimit të vaksinës Moderna, veçanërisht pas dozës së parë.

Sidoqoftë, ato nuk janë shkak për shqetësim dhe kanë tendencë të zhduken vetë brenda pak ditësh.

Këto reagime tregojnë se sistemi imunitar po i përgjigjet kërcënimit të perceptuar të vaksinës, e cila po krijon imunitet.

Antitrupat e koronavirusit duhet të fillojnë të shfaqen afërsisht dy javë pasi është dhënë doza e parë ndërsa mbrojtja maksimale do të arrihet afërsisht dy javë pas injeksionit të dytë./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.