Brazili fillon prodhimin e vaksinës AstraZeneca

RIO DE ZHANEIRO, 9 mars /ATSH-DPA/ – Brazili filloi prodhimin në shkallë të gjerë të vaksinës AstraZeneca në qendrën kryesore të kërkimit, Fiocruz, në Rio de Janeiro, sipas raporteve të medieve lokale.

Vaksina e bërë nga përbërës të importuar nga Kina ka kaluar testet e nevojshme dhe 3,8 milionë doza pritet të dorëzohen në Ministrinë e Shëndetësisë të Brazilit deri në fund të marsit.

Ardhja e fundit e një dërgese lëndësh të para për të prodhuar 12,2 milionë doza të vaksinës AstraZeneca kishte rritur shpresat për një përparim në vaksinimin mes përhapjes së shpejtë të koronavirusit në Brazil.

Brazili ka një fabrikë vaksinash që konsiderohet më e madhja në Amerikën Latine.

Nga mesi i vitit, Fiocruz dëshiron të prodhojë 110 milionë doza të vaksinës së koronavirusit të AstraZeneca duke përdorur përbërës të importuar.

Në gjysmën e dytë të vitit, falë transferimeve teknologjike, ai do të jetë në gjendje të prodhojë 110 milionë doza shtesë në autonomi të plotë. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.