Bardhi takim me biznesin në Librazhd: Më 25 prill qeveria do jetë në krah të sipërmarrjeve

TIRANË, 9 mars /ATSH – I. Vata/ “Qeveria do jetë në krah të sipërmarrjeve”, deklaroi sot Drejtuesi Politik i PD për Elbasanin, Gazment Bardhi në takim me biznesin në Librazhd.

“Ky është një problem në Librazdh e kudo. E ka përqendruar ekonominë në 3 duar dhe gjithë të tjerët i ka çu në falimentim. Do duhet të jesh i lidhur me Taulant Ballën të bësh biznes në Librazhd, do duhet të jesh i lidhur me Taulant Ballën të bësh biznes në Përrenjas, në Elbasan, do duhet të ndash biznesin me Taulant Ballën që të kesh mundësi me punuar sot”, u shpreh Bardhi.

Drejtuesi politik i PD-së Bradhi tha se me ndryshimin që do vijë me 25 prill, qeveria jo vetëm do jetë në krah të sipërmarrjeve, do lehtësojë e mbështesë biznesin, por do ta çlirojë ekonominë e tregun nga kapje si këto.

Duke bashkëbiseduar me qytetarët, Bardhi tha se nga trysnia dhe keqqeverisja e abuzimi me tatimorë, taksa e tarifa të larta, pronari nuk ka mundësi të shtojë vendet e punës, të rrisë pagat apo të përmirësojë kushtet për ta.

“Kjo do të ndryshojë me 25 prill. Ka 8 vite që shtyp dhe falimenton bizneset dhe njerëzit, tani thotë dua prapë edhe më shumë vite për Shqipërinë. Po pse nuk bëre asgjë për 8 vite, tani dashke edhe 4 të tjerë. Me 25 prill, të gjithë bashkë, tek kutia e votimit sjellim ndryshimin. Me qeverinë që do vijë, do bëjmë ato gjëra që do të sjellin normalitet, që pronari juaj të rritet e të ketë më shumë para, që fëmijët tuaj të qëndrojnë këtu e të ndërtojnë jetën këtu”, tha Bardhi.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.