“Vota e emigrantëve nuk lëviz nga objektivat parësore”/ Në skuadrën e 25 prillit emigrantë të sotëm dhe të deridjeshëm

TIRANË, 8 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, vota e emigrantëve nuk lëviz nga objektivat parësore dhe PS do të vazhdojë të luftojë për ta realizuar edhe këtë objektiv.

Duke folur në aktivitetin “Rruga drejt 25 Prillit – SHQIPËRIA E ARDHMJA, EMIGRACIONI E SHKUARA”, Rama u shpreh se, “ne e kishim dhe e kemi bindjen, meqë jemi tek vota, se vota e emigrantëve duhet të garantohet në çdo cep të globit, pavarësisht se nuk arritëm ta bindnim palën tjetër për këtë as kësaj radhe”.

“Ata kujtojnë se votat që shtohen kundër tyre janë vota vjedhjeje, kurse votat e tyre që pakësohen janë vota zgjedhje. E dinë që shumica e emigrantëve nuk i voton, sepse emigrantët nuk janë tifoz të verbër partish, por janë tifozë të punës dhe të Shqipërisë. Dhe Shqipëria me ata për të cilët po flasim, gjithnjë humbet dhe kjo është më e qartë sesa për shumëkënd këtu, pikërisht për ata që e shohin këtë vend këtu, me sytë e punëtorit në emigracion”, tha Rama.

Megjithatë, theksoi Rama, “vota e emigrantëve nuk lëviz nga objektivat parësore dhe ne do të vazhdojmë të luftojmë për ta realizuar edhe këtë objektiv”.

“Ndërkohë në skuadrën e 25 prillit ne do të kemi emigrantë, të sotëm dhe të deridjeshëm. Të gatshëm dhe të denjë për të merituar votën e qytetarëve dhe të gatshëm e të denjë, për t’u ulur nesër në parlament dhe për të qenë zëri edhe i atyre që s’mund të jenë këtu, por që këtu janë çdo ditë pranë familjeve të tyre. Apo për t’u bërë pjesë në atë ekip të posaçëm parlamentar dhe qeverisës që ne do të krijojmë në funksion të emigrantëve dhe për emigracionin”, nënvizoi Rama.

“Kemi bërë jo pak, por duhet bërë edhe më shumë dhe është koha për të kaluar në një fazë të re, pikërisht sepse në Planin tonë të Veprimit, duam t’u japim të gjithë emigrantëve një mundësi të re në Shqipëri”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.