Rama vlerëson Gjermenin dhe Hysin: Aktiviste shembullore që sollën në PS kontribute të reja

TIRANË, 8 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama i shprehu sot mirënjohjen në Ditën e Gruas, dy bashkëpunëtoreve simbol të promovimit të legjislacionit mbi barazinë gjinore, të drejtat e grave, fëmijëve, minoriteteve dhe kundër dhunës ndaj gruas, Vasilika Hysit dhe Eglantina Gjermenit.

Në një takim me gra të PS-së, Rama vlerësoi këto dy aktiviste shembullore të shoqërisë civile, që sollën në PS vlera e kontribute të reja dhe për 12 vjet rresht e përfaqësuan PS-në me dinjitet e profesionalizëm, në Kuvend e në qeveri.

“Vasilika Hysi dhe Eglantina Gjermeni, shumë faleminderit nga zemra për gjithçka dhatë e bëtë në këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm dhe faleminderit edhe për leksionin e qytetarisë, mençurisë e mirësisë që u dhatë të gjithëve, me tërheqjen plot klas nga jeta parlamentare, si edhe premtimin për të vazhduar të jeni pjesë e këtij rrugëtimi, pavarësisht karriges”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi hezitimin e Hysit për t’u përfshirë në politikë 12 vite më parë. “Ju thashë se unë ju dua që të bëhet PS si ju, jo të bëheni ju si PS, në sensin e shablloneve dhe tipeve”, tha Rama.

“Eglantina më takoi dhe tha, unë dua mirëkuptimin tuaj që të ndërroj drejtim, sepse kam akoma rini dhe fuqi për të bërë akoma dhe dua të jem në rolin e njeriut që këshillon dhe mbështet dhe jo të jem në vijën e parë. Pastaj erdhi Vasilika tha ‘m’u rritën kalamajt të gjithë, janë gati të marrin stafetën’. Respekte për ju të dyja. Meqë ju doni t’ua lini rrugën të rinjve dhe të rejave, ne morëm Luljetën dhe Najadën që janë brezi më i ri”, tha Rama.

Eglantina Gjermeni vlerësoi se ka qenë një periudhë dhe përvojë e jashtëzakonshme dhe është ndjerë shumë e vlerësuar. “I jam mirënjohëse gjithkujt që më ka mbështetur nga qytetarët e thjeshtë te PS. Kam pasur fatin të kandidoj në njësinë 5, në bashkinë Lushnjë e në bashkinë Krujë. Çështjen e grave që unë e kam përzemër jam munduar ta ruaj dhe mbroj me fanatizëm. Më vjen shumë mirë që jemi më shumë gra, dhe gra të zonjat, që vetëm nder i bëjnë PS-së. Tani është një kontribut që dua ta vazhdoj në pjesën e mbështetjes”, tha ajo.

Ndërsa Hysi shtoi se, “politika ka nevojë për të gjitha moshat. PS është vizion dhe ka nevojë për gra, vajza dhe burra me vizion. Në PS dhe në politikë ka nevojë për njerëz që japin në fushën e tyre dhe pse nuk jemi në të njëjtën prerje”.

Më tej, Kryeministri Rama tha se “Tinës në një moment të caktuar i ra pjesa më e vështirë, sepse i thashë ‘Tina duhet të shkosh deputete në Krujë, sepse aty ka nevojë shumë të çlirojmë gratë dhe vajzat që të jenë më aktive, pasi këta të partisë tonë i ndajnë karriget për burrat e thoshin s’kemi gra ne këtu’”.

“Më tha ‘unë prapë?’, ti i thashë se gruan time s’e çoj dot që është gjysmë tiranse e gjysmë krutane. Tina aty ka bërë një punë fantastike në çdo aspekt me gratë dhe vajzat. Kjo është një nga kontributet më të rëndësishme që unë konsideroj në aspektin e punës me familjen socialiste në territor”, – theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “bilanci i 12 viteve nëse e shikojmë nga pika e nisjes deri më sot nga aspekti i përfaqësimit i grave dhe çfarë kemi bërë në parlament për të drejtat e grave, përfaqësimi në parlament i tyre besoj se është një bilanc pozitiv, jo i shkëlqyer, por është pozitiv”./k.s/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.