Prezantohen 35 ekspertët që jetojnë jashtë Shqipërisë/ Majko: Rol në integrimin e vendit në BE

TIRANË, 8 mars /ATSH/ Në Tiranë janë prezantuar sot nëpërmjet një ceremonie online ekspertët e përzgjedhur që jetojnë në vende të ndryshme jashtë Shqipërisë që do të kenë rol në integrimin e vendit në BE përmes programit ““Angazhoni Diasporën Shqiptare në Social dhe Zhvillimi Ekonomik i Shqipërisë”.

Në fjalën e tij ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko tha se ekspertët e përzgjedhur përbëjnë një vlerë të shtuar për administratën shqiptare në një proces që nga pikëpamja profesionale nuk do të jetë i lehtë.

“Në mënyrë zyrtare procesi i integrimit të Shqipërisë në BE do të ketë ndihmën, asistencën dhe pjesëmarrjen zyrtare dhe ndihmën e zyrës së IOM në Tiranë për procesin e integrimit. Janë ekspertë të përzgjedhur me konkurrim dhe mendoj se përbëjnë një vlerë të shtuar për administratën shqiptare në një proces që nga pikëpamja profesionale nuk do të jetë aspak i lehtë. Këta njreëz sot e përballë publikut janë cilësia e asaj që po ndryshon në konceptin e sasisë. Kujtoj se aktualisht me pasaportë europiane numri i shqiptarëve jashtë vendit po shkon drejt gjysmë milioni. Kjo që po diskutojmë sot është një pamje e qartë e këtij ndryshimi cilësor”, tha Majko në fjalën e tij.

Sipas ministrit Majko gjëja më e rëndësishme në pikëpamje të faktorizimit të diasporës është ndryshimi i Kodit Zgjedhor dhe jemi në pritje të akteve nënligjore në KQZ. “Po bëhet prezente në një nga aksionet më të rëndësishme kombëtare që ka nisur para 30 vitesh dhe shpresoj që brenda këtij viti ashtu siç dhe kryenegociatori ka përsëritur me optimizëm racional, Shqipëria të nis diskutimet e përbashkëta për kapituj të veçantë. Këta njerëz në vendet e tyre pritëse do të jenë me mendjet e tyre dhe ekspertizën një ndihmë të padiskutueshme duke vendosur një vulë të thatë në atë që diaspora shqiptare mund dhe duhet të bëjë për vendlindjen”, shtoi Majko më tej.

Ndërsa drejtoresha e IOM, Alma Jani tha se programi shërben për të mbështetur qeverinë dhe për të rritur angazhimin e diasporës shqiptare në zhvillimin e vendit.

Diaspora shqiptare po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për zhvillimin e Shqipërisë. Ekonomia e vendit ka përfituar ndjeshëm nga hyrjet e remitancave, megjithatë ekziston nevoja për të mbështetur mënyra të reja për promovimin e angazhimit të diasporës për të ruajtur dhe forcuar lidhjen e tyre me Shqipërinë dhe për të kontribuar në rritjen ekonomike dhe sociale të vendit.

Aktualisht janë përzgjedhur 35 ekspertë që jetojnë në vende të ndryshme jashtë Shqipërisë dhe që i përkasin diasporës shqiptare, të cilët janë pjesë e programit “Angazhoni Diasporën Shqiptare në Social dhe Zhvillimi Ekonomik i Shqipërisë”.

Projekti zbatohet nga IOM Albania në bashkëpunim me ministri të linjës, dhe në një koordinim të ngushtë me Ambasada italiane në Tiranë dhe Agjencia Italiane për Bashkëpunim Zhvillimor.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.