Nga Luljeta Bozo, te Linda Rama, ministrja Kushi dhe Marjana Kondi/ Mesazh sensibilizues për 8 Marsin: “Hapi Udhë Vajzave”

TIRANË, 8 mars/ATSH/ Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave, janë bërë bashkë shumë nga emrat më të rëndësishëm nga arti, politika dhe kultura duke përcjellë mesazh sensibilizues në këtë 8 Mars.

Nga ministrja e Arsimit, Evis Kushi, bashkëshortja e kryeministrit Rama, Linda Rama, deputetja Rudina Hajdari, kandidatja për deputete Luljeta Bozo, por edhe aktoret e njohura Marjana Kondi dhe Ema Andrea, i janë bashkuar një videoje me mesazhe sensibilizuese që kanë në fokus promovimin e brezit të ri të vajzave.

Në lidhje me videon e ideuar dhe përgatitur nga aktivistë të të drejtave të njeriut në Shqipëri, ministrja Kushi shprehet se “iu bashkova me shumë kënaqësi videos ndërgjegjësuese në kuadër të fushatës “Hapi udhë vajzave”, nëpërmjet së cilës përcjellim mesazhin se çdo grua apo vajzë e suksesshme sot me arritjet e saj mund të mbështesë brezin e ri të vajzave që po rriten”.

Gjithashtu, Kushi shprehet se, “në Ditën Ndërkombëtare të Grave inkurajoj fort çdo grua e vajzë të mbrojë të drejtat e tyre, si dhe të promovojë barazinë gjinore në çdo fushë të shoqërisë”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.