“Minimalisht, ruajmë rezultatin e zgjedhjeve të 2017-ës”/ Rama: Objektivi bazë 78 mandate, ai maksimal 88 mandate

TIRANË, 8 mars /ATSH – I. Vata/  “Objektivi bazë është të arrijmë 78 mandate, dhe objektivi maksimal 88 mandate”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të objektivave për zgjedhjet e 25 prillit.

Rama u shpreh se, “objektivi ynë minimal është që rezultati që kemi arritur me numrin e deputetëve në parlament në 2017 të mos bjerë”.

“Objektivat bazë qark për qark. Në Shkodër objektivi bazë është 4 deputetë, objektivi maksimal 5. Në Kukës objektivi bazë dhe maksimal është 2. Në Lezhë objektivi bazë është 3, objektivi maksimal 4. Në Dibër objektivi bazë dhe maksimal është 3 deputetë. Në Durrës objektivi bazë është 8, objektivi maksimal 9. Në Tiranë objektivi bazë 19, objektivi maksimal 20. Në Elbasan objektivi bazë është 8, objektivi maksimal është 9. Në Fier objektivi bazë është 10, maksimal 11. Në Berat objektivi bazë është 5, objektivi maksimal 6. Në Korçë objektivi bazë është 6 deputetë, maksimal 7. Në Vlorë objektivi bazë është 8, maksimal 9”, tha Rama.

Rama shtoi se nëse shohim përmbledhjen duke pasur parasysh objektivin minimal që është rezultati i zgjedhjeve të shkuara, “ne kemi objektiv bazë që të arrimë 78 mandate, dhe objektiv maksimal 88 mandate”.

“Nuk janë si këto numrat e filxhanëve. Janë numra të bazuar në analiza, potenciale dhe natyrisht të gjitha këto do të thosha, lidhen me projeksione që mbështeten në strategji, taktika e në një sërë komponentësh të tjerë”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.