Kryemadhi: Kandidoj në tre qarqe, Tiranë, Elbasan dhe Fier

TIRANË, 8 mars /ATSH – I. Vata/ Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi deklaroi sot se do të kandidojë në tre qarqe, Tiranë, Elbasan dhe Fier në zgjedhjet e 25 prillit.

E ftuar në një emision televiziv duke shpjeguar arsyen e kandidimit në disa qarqe, Kryemadhi tha se Elbasanin e ndjen si detyrim moral për shkak të besimit të marrë në 2017, Fierin si qarku që nuk e ka braktisur kurrë LSI-në dhe Tiranën si dashuri e vjetër.

“Mos harroni se dhe kryetarët e partive, politikanët kanë emocionet e tyre njerëzore që herë pas here bashkarisht ndërthuren me pozicionet politike, kalkulimet dhe maksimizimin politik. Qarku i Fierit dhe Elbasanit, por dhe Tirana janë në qarqet më të rëndësishëme, siç është edhe qarku i Durrësit, pasi kanë të njëjtin numër”, – tha ajo.

Në vijim, Kryemadhi shtoi se nuk mund të diferencosh qarkun e Beratit, Vlorën apo Shkodrën.

“Që nga Kukësi deri në Vlorë, rëndësia e qarqeve dhe e kandidimit është e njëjtë. Duke ndërthurur emocionet personale, por edhe maksimizimin e votës, por edhe përgjegjësinë që kemi ne si LSI, do të kemi të gjithë këtë pjesë kryesore, ku në fakt janë bastionet e LSI, duke quajtur dhe Beratin, që është në duar të sigurta të një doktori dhe inxhinieri që për hir të së vërtetës jam e bindur se do të kemi tre përfaqësues nga qarku i Beratit”, – tha ajo. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.