Fiskalizimi/ DPT: 3 337 vizita në terren 13 954 trajnime të zhvilluara 

 

TIRANË, 8 mars/ATSH/ Rreth 1252 ente publike, 11 716 subjekte si dhe 986 kontabilistë, në total 13 954 persona janë trajnuar deri tani për të lehtësuar procesin e Fiskalizimit, i cili ka nisur më datë 1 janar 2021, për të gjitha transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe organeve publike, ose ndryshe B2G.

Sipas DPT-së, numri i faturave të lëshuara ndaj enteve publike është 3 295 ndërsa 316 është numri i faturave të lëshuara ndaj subjekteve private.

DPT informoi po ashtu se ka nisur në terren vizitat për të vënë në dispozicion çdo material dhe informacion të nevojshëm në lidhje me Fiskalizimin tatimpaguesve.

Sipas DPT, janë kryer në total 3 337 vizita në biznesin e vogël dhe biznesin e madh në javën e parë të muajit mars.

“Me qëllim qartësimin e tatimpaguesve, zgjidhjen e problematikave që ata mund të kenë edhe pas implementimit të Fiskalizimit, gjatë dy javëve të fundit janë organizuar takime me shoqata të ndryshme si Dhoma Italiane e Tregtisë, Shoqatat e Transportit, Urdhëri i Farmacistave dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”, informoi DPT.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.