TIRANË, 7 mars/ATSH/-Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nisja e punimeve në aksin Shëngjin-Velipojë është çështje kohe.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në Lezhë, Rama u ndal te vijimi i investimeve infrastrukturore në veri të vendit.
Sipas kryeministrit, tjetër komponent që hyn në infrastrukturë e që ka një rëndësi kombëtare është rruga Shëngjin-Velipojë.
“Ne kemi përfunduar procedurat, është garantuar financimi dhe fillimi i punimeve është çështje e një kohe të afërt. Jemi në procesin e lidhjes së kontratës me kompaninë”, tha kryeministri.
Sipas kryeministrit, duke hapur rrugën Shëngjin-Velipojë do të kemi kantier të rëndësishëm kombëtar dhe bosht të ri në një zonë ku faktikisht ka një potencial shumë të madh zhvillimi turistik.
Rama vlerësoi edhe punën e kreut të bashkisë, Pjerin Ndreu për menaxhimin e vijës bregdetare të Lezhës.
“Kreu i bashkisë ka bërë një punë fantastike për të mbështetur Lezhën e garantuar pastërti që në zonën turistike ju ka bërë përshtypje të gjithë atyre që e kanë vizituar së fundmi dhe së bashku jemi duke nxitur investime të tjera në zonën bregdetare. Edhe aty investimet janë të mëdha dhe do të vazhdojmë”, u shpreh ai.