Rindërtimi i shkollës 9-vjeçare “Hasan Vogli” në Tiranë me standardet e Eurocod 8/ Nga 6 në 20 klasa për 600 nxënës

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj përcolli një mesazh urime për të gjithë mësuesit nga shkolla “Hasan Vogli” në kryeqytet e cilat po rindërtohet ditë pas dite, me kapacitete të shtuara për 600 nxënës, sipas standardeve Eurocode 8.

“Gëzuar 7-marsin, nga një tjetër kantier shkolle, që në shtator do të ketë rilindur më e madhe, më e bukur, më e fortë”, uroi ai.

Ahmetaj tha se në fund të marsit mbyllet procesi i ndërtimit të karabinasë së shkollës “Hasan Vogli” dhe në qershor do të përfundojë e gjithë shkolla për të mirëpritur fëmijët dhe mësuesit në shtator.

“Shkolla 9-vjeçare “Hasan Vogli” në Tiranë, po rindërtohet ditë pas dite, me kapacitete të shtuara nga vetëm 6 klasa më parë, në 20 të tilla sot, me laboratorë, palestër, ambiente për 600 nxënës, sipas standardeve ndërkombëtare dhe Eurocode 8”, deklaroi ai.

Sipas Ahmetaj, janë 160 shkolla që po rindërtohen në kuadër të procesit të Rindërtimit, nga të cilat 79 nga buxheti i shtetit.

“160 shkollat e reja të financuara nga programi i Rindërtimit, që kanë rilindur e do të rilindin më të mira, më të bukura, më të forta, janë një shprehje e posaçme e vëmendjes dhe mirënjohjes tonë për punën dhe përkushtimin e çdo mësuesi. Vetëm nga buxheti i shtetit po rindërtohen 79 shkolla, ku në Tiranë janë 23 shkolla që ndërtohen brenda programit të Rindërtimit. Po ashtu janë 17 shkolla që po ndërtohen nga bashkia e Tiranës, pra janë 40 shkolla të reja në kryeqytet”, deklaroi ministri.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.