“Programi i PD për pensionet falimenton si Sudja”/Do të thotë të ulim prodhimin e qumështit dhe të rrisim prodhimin e djathit

TIRANË, 7 mars /ATSH – I. Vata-“Të thuash do të ul sigurimet dhe do rris pensionet do thotë, do ulësh paratë që ti ke për të paguar pensionet, do marrësh nga taksat dhe në vend që t’i çosh te investimet do t’i çosh për të paguar sot dhe do lësh pa pension të tjerë nesër se skema do falimentojë njësoj siç falimentoi Sudja. Të financosh pensione pa u bazuar në sigurime do të thotë të bësh Suden”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama nga Lezha.

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, Rama tha se “pyetja për pensionet është pyetja më vështirë e cilitdo njeriut që është në detyrën që kam edhe unë, në cilin do vend të botës. Nëse unë do isha dikush tjetër, do thosha po patjetër, na jepni votat dhe ne do ulim sigurimet shoqërore dhe do rrisim pensionet dhe këtë e ka programi i PD”.

“E përkthyer në gjuhën e “Mrizit të Zanave”, do ulim prodhimin e qumështit dhe do rrisim prodhimin e djathit dhe do të ishte fabrikë sapuni, s’do ishte më agroturizëm me 5 yje. Si mund të ulësh sigurimet shoqërore dhe të rrisësh pensionet, ndërkohë që baza e pagës së pensioneve janë sigurimet shoqërore dhe ndërkohë problemi në Shqipëri është se për shumë e shumë vite nuk u bë reformë pensionesh dhe deficiti vazhdoi të rritej. Normalisht idealja është se çka shoqëria paguan sot për të paguar pensionet të mos jetë për të mbushur një hendek që është më i madh se sa çfarë njerëzit paguajnë sot për të marrë pensionin e tyre nesër”, tha ai.

Rama shton se ne kemi bërë reformën e pensioneve. “Duhet të dini se në Shqipëri ka dy kategori pensionistësh. Një kategori që është pjesa më e madhe pensionistëve që kanë dalë në pension para se sa të bëhej reforma jonë dhe një kategori që dalin sot. Dhe nëse  ju shikoni një mësues me të njëjtat vite pune që ka bërë të njëjtën punë, ai që ka dalë në pension përpara reformës e ka pensionin më të ulët se ai që ka dalë pas reformës. Dhe po të shikoni sot pensionet që marrin njerëzit në bazë të sigurimeve që kanë paguar, pas reformës janë pensione që shkojnë shumë më tepër se sa pensioni bazë që ishte tavan. Çfarë ishin pensionet para reformës?Ti le të kesh punuar 40 vite, do marrësh pension njësoj si dikush tjetër që ka punuar 20 vite. 240 mijë lekë është maksimumi, një tavan që askush se kapërcente. Ne e hoqëm tavanin dhe ne  e kemi bërë pensionin në bazë të sigurimeve dhe në një farë mënyre, brezi i juaj e llogarit pensionin e vet duke paguar sigurimet shoqërore dhe duke pasur mundësi bile të investojë më shumë për pensionin e vet nëse do”, tha ai.

Rama shtoi se “të thuash do të ul sigurimet dhe do rris pensionet do thotë, do ulësh paratë që ti ke për të paguar pensionet, do marrësh nga taksat dhe në vend që t’i çosh te investimet do t’i çosh për të  paguar sot dhe do lësh pa pension të tjerë nesër se[se skema do falimentojë njësoj siç falimentoi Sudja. Të financosh pensione pa u bazuar në sigurime do të thotë të bësh Suden”.

Ai shtoi se “ne duam të rrisim pensionet. Ne e kemi bërë rritje në bazë të indeksimit, patjetër është e pamjaftueshme. Ne kemi vazhduar të japim bonusin e pensionistëve dhe do vazhdojmë ta bëjmë. Bonusin e fundviti duam ta rrisim sepse ajo është e shëndetshme për ekuilibrin, por nëse ti i merr këtej dhe i çon andej, apo zbraz këtu dhe i mbush atje atëherë vjen një moment se atje shtohet nevoja, ti këtu s’ke më dhe pastaj i thua s’kam më. Ne jemi në qeveri, do të jemi në qeveri dhe nuk them gjëra që nuk bëhen siç thonë ata, do ulim sigurimet shoqërore dhe do rrisim pensionet”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.