Përmbytjet këtë vit, test pozitiv/ Investimet dhe ndërhyrjet që kemi bërë, dhanë shumë rezultat

TIRANË, 7 mars /ATSH – I. Vata- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “është bërë shumë punë për të përballuar përmbytjet në Lezhë, janë pastruar 100 km kanale kulluese, 47 km vetëm në zonën e Zadrimës”.

“Unë kam qenë këtu në Lezhë në një përmbytje, para se të vinim në detyrë dhe unë kam parë njerëz që ishin jo metaforikisht, por ishin realisht të mbuluar nga një shtresë balte nga koka te këmbët. Dhe jo një e dy veta. Përmbytjet në Lezhë kur ndodhnin për sasira shirash më të vogla sesa sasirat e shirave që kemi pasur herën e fundit, bënin hatanë, tani bëjnë dëme, por nuk bëjnë hatanë”, tha Rama nga Lezha.

Rama shtoi se “sigurisht ka zona në Lezhë ku nuk lejohej ndërtimi. Dikur në atë kohën nuk kishte ndërtime pa plan, pa leje dhe pa urdhrin e partisë, dhe nuk lejohej se ato janë zona nën nivel dhe aty është e pamundur të shmangësh grumbullimin e ujit kur ka reshje të mëdha. Këtë nuk e them për t’u justifikuar, por për të kujtuar. Njerëzit shpesh herë thonë se çfarë na i tregon ku ishim, ne na duhet ku do shkojmë. Sigurish. Por një fjalë e mençur thotë po nuk e kujtove nga je nisur, nuk arrin dot aty për ku je nisur. Dhe duke kujtuar nga jemi nisur, unë sot mund të them se për mua se çfarë ndodhi këtë vit ishte një test shumë pozitiv për ne, që tregoi se punët tona dhe ndërhyrjet që kemi bërë kanë dhënë shumë rezultat. Nëse ne nuk do të kishim bërë ato ndërhyrje, Lezha do ishte bërë më zi se në rastin më të zi të përmbytjeve të shkuara”, tha ai.

Rama tha se “do vazhdojmë të bëjmë punë që duhet bërë akoma se nuk është e mjaftueshme për të bërë eliminim të atyre përmbytjeve që mund të eliminohen sepse jo të gjitha përmbytjet mund të eliminohen”.

“U përmbyt Gjermania përpara disa vitesh, u bë dhe temë e fushatës elektorale, kohën kur fitoi Merkel, por momentin e sasirave të reshjeve janë të atilla që bëjnë efektin e rubinet që është i hapur me presion dhe detyrimisht gypi sa do i lirë nuk mbledh gjithë ujin menjëherë atyre s’ke se çfarë u bënë, por ne nuk flasim për ato, flasim për përmbytjet për reshjet intensive por sidoqoftë të kontrollueshme. Do vazhdojmë të bëjmë këtë që kemi bërë. Do vazhdojmë të pastrojmë, të mirëmbajmë kanalet kulluese. Të garantojmë që ndërtimet rriten cilësisht në aspektin e konsideratës për infrastrukturën e nevojshme nëntokësore. Të rrisim përmasën e gjelbër aty ku është e mundur, sepse një arsye që rrit rrezikun nga përmbytjet është erozioni, prerja e pyjeve dhe të gjitha këto kanë ndodhur. Ne do të vazhdojmë më shumë duke rritur mundësinë dhe rritja e mundësisë vjen duke rritur ekonominë dhe duke rritur të ardhurat për njerëzi, por edhe për shtetin pa rritur taksa. Ekuacion i vështirë po do ta zgjidhim”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.