GREQI – Rreth 900 shtëpi të pabanueshme pas tërmetit

ATHINË, 7 mars /ATSH-AFP/ – Rreth 900 shtëpi janë konsideruar të pabanueshme pas tërmetit që goditi javën e kaluar pjesën qendrore të Greqisë, kur lëkundjet e forta shkaktuan panik tek banorët në kërkim të një strehe.

Dy tërmete me magnitudë 6,2 dhe 5,9 që ndodhën të mërkurën dhe të enjten shkaktuan dëme të mëdha në fshtrat e Larissas, Elassonas, Tyrnavos dhe Farkadonas.

Nga 1 800 ndërtesa të inspektuara nga dhjetra inxhinierë të dërguar në vend, rreth 898 shtëpi do të prishen, përveç spitaleve, shkollave dhe kishave, sipas agjencisë greke të lajmeve.

Zona, kryesisht bujqësore, numëron shumë ndërtesa prej guri mbi 70 vjeçare dhe autoritetet kanë dërguar furgonë kampingje dhe çadra për të ndihmuar njerëzit që kanë mbetur të pastrehë pavarësisht motit me shi dhe temperaturave të ulëta.

Guvernatori rajonal i rajonit të Thesalisë, Kostas Agorastos, siguroi se në fshatrat Damassi dhe Messohori, po punohej që banesat e improvizuara për të pastrehët të furnizohen me  ushqim, ujë dhe energji./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.