“Ëndrra që më lë pa gjumë”/ Shumë e afërt dita ku do të fillojmë vaksinimin masiv, lehtësojmë edhe sezonin turistik

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se vaksinimi masiv i popullatës do të shpëtonte turizmin dhe do të ishte një ndihmë e madhe për biznesin.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarë të Lezhës, Rama u shpreh se është shumë e afërt dita ku ne do të fillojmë vaksinimin masiv për të lehtësuar edhe sezonin e ardhshëm turistik.

Vaksina theksoi ai, është i vetmi mjet, e vetmja “sëpatë“ që këput zinxhirin e infektimit.

“Nëse realizojmë një vaksinim masiv në periudhën nga marsi deri në mesin e qershorit do të kemi një sezon turistik shumë ndryshe nga ai që kishim e do të kemi”, tha Rama.

“Me vaksinimin e bluzave të bardha e të moshuarve mbi 80 vjeç ka filluar një proces mbrojtjeje, por për të këputur zinxhirin, do të kalojmë në një tjetër stad. Për këtë na duhet një tjetër sasi vaksinash. Me volumin e deritanishëm, procesi do të jetë më i ngadaltë”, theksoi kryeministri.

“Kjo është ëndrra që më lë mua pa gjumë: si të disponojmë një sasi vrastare vaksinash për virusin”, deklaroi Rama.

Rama u përgjigj se nuk është e vërtet që deri tani Europa ka vendosur kusht për lëvizjen aplikimin vetëm të vaksinave të saj.

“Deri dje kënga ime thoshte: çdo gjë bën vaki jetojmë në Tiranë, tani duhet të them çdo gjë bën vaki jetojmë në Europë. Por nuk më rezulton për momentin, madje më rezulton e kundërta , Europa ka filluar të mendojë dhe disa vende europiane, Gjermania për shembull që është lokomotiva e Evropës, ka filluar të hapë dialogun me Kinën dhe Rusinë për vaksinat ruse dhe kineze. Duket e pabesueshme por është e vërtetë, duket e paimagjinueshme që kontinenti më i fuqishëm i planetit të gjendet në këtë situatë. Siç dukej e pabesueshme që momenti i shpërthimit të epidemisë i kapi gafil të gjithë dhe i gjunjëzoi, pavarësisht sa të pasura, të mëdha e organizuara janë. Por ishte fakt. Duhet thënë se bota e zhvilluar ka thyer çdo rekord në shpikjen e vaksinës për COVID-19, sepse deri sot nuk ishte parë që një vaksinë të shpikej testohej e futej në përdorim në një kohë kaq të shkurtër dhe kjo i dedikohet zhvillimit marramendës të shkencës dhe teknologjisë. Por, këtu jemi në kushtet kur pak kompani, sot janë 4 kompani dhe është e gjithë bota që do vaksinën, po të shtojmë dhe kinezen dhe ruse u bëhen 6. Nuk jam aspak i bindur se mund të bëhet, por çdo gjë mund të bëhet në këtë Europë”, tha Rama.

Sipas Ramës, ajo që për ne ka rëndësi është të bëjmë atë që duhet për njerëzit.

Kryeministri u shpreh se mosmarrja e vaksinës ruse apo kineze nuk është çështje gjeopolitike, por çështja është se nuk ka vaksina.

Sipas kreut të qeverisë, vaksinat nuk është se kanë dalë në treg dhe ne mund të shkojmë që ti blejmë, por nuk ka prodhim vaksinash.

“Një gjë dua të shtoj. Ka shumë njerëz që kujtojnë se mosmarrja e vaksinës kineze dhe ruse është çështje gjeopolitike. Nuk është kështu, vaksinat nuk kanë dalë në treg dhe ti mund të shkosh atje dhe ti blesh. Vaksina nuk ka. Të gjitha janë me sasi shumë të vogla në raport me kërkesën. Edhe Amerika nuk ka vaksina sot, për të mundur të thotë që të japë qoftë edhe një dozë jashtë Amerikës . Nuk i ka vaksinat stok. Prodhon dhe vaksinon. Nuk është vaksina kineze e dalë në treg dhe të shkojmë që ta blejmë. Nuk është as çështje çmimi, ne për vaksinat do të lëmë çdo gjë tjetër, vaksinat janë të parat. Por nuk ka. Lufta që bëhet për të marrë ato që janë është një luftë e madhe është një luftë e tmerrshme tregtare. Jam i kënaqur se en nuk jemi në kushtet edhe të disa vendeve në rajon që nuk kanë bërë asnjë gjilpër. Po mbarojmë vaksinimin e mjekëve e infermierëve dhe të moshuarve mbi 80 vjeç, Nuk mjafton por ama po ecim. Deri para pak ditësh 140 shtete të botës nuk kanë bërë asnjë vaksinë dhe 70% e vaksinave është në dorën e 10 shteteve”, tha Rama.

Gjithë pjesa tjetër e botës, vijoi Rama, lufton për të kapur doza brenda një 30%.

“Ndaj dhe Europa në këndvështrimin tim e  ka të pamundur të vendosë një kusht të tillë, sepse Europa nuk ka të garantuara vaksinat e veta nga kompanitë kineze dhe ruse. Po të shikoni debatin që bëhet në të gjithë vendet me përjashtim të Britanisë e Izraelit, në të gjitha vendet e tjera midis popullit e qeverive ka tension. Asnjë qeveri nuk ka mjaftueshmërinë dhe nuk ka garantuar shpejtësinë e vaksinimit të atillë që njerëzit të jenë në rregull”, tha Rama.

Megjithatë, shtoi kryeministri, unë nuk hy te ata që dorëzohen dhe kam shumë besim që diçka do të bëjmë dhe shpejt.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.