Certifikata mirënjohjeje për 10 mësues në pension, Veliaj: Faleminderit për përkushtimin tuaj; ndërtojmë 40 shkolla të reja 

TIRANË, 7 mars/ATSH/- Me rastin e 7-Marsit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mirëpriti në zyrën e tij 10 mësues nga shkolla të ndryshme të Tiranës, të cilët i falenderoi dhe u shprehu mirënjohjen për punën, sakrificën dhe përkushtimin e tyre në këtë vit të pazakontë plot sfida dhe vështirësi.

Mësuesit falënderuan kryebashkiakun Veliaj për punën që ka bërë në përmirësimin e kushteve të shkollave të Tiranës, duke theksuar se ndryshimet kanë ndikuar edhe në cilësinë e mësimdhënies.

“Kjo ishte një surprizë e madhe për ne. Mendonim që ky 7 Mars nuk do të festohej, sidomos për ne që jemi në pension. Për mua ky është një vlerësim shumë i madh, shumë faleminderit për këtë. Gjithashtu, ju përgëzoj për punën që bën, dua të them një ‘bravo’ të madhe. Të mendosh që do hapen edhe 40 shkolla të tjera është një punë kolosale”, tha Roza Sali, mësuese e gjimnazit “Qemal Stafa”.

Ndërsa, Veliaj në fjalën e tij përgëzoi mësuesit për punën e palodhur dhe kontributin e tyre ndër vite në përgatitjen e brezave të rinj dhe rritjen e cilësisë së arsimit.

“Është një kohë e vështirë, kur secili prind, përveç merakut për tërmetin dhe pandeminë, kishte edhe merakun e një viti arsimor që edhe mund të ishte humbur. Fakti që kjo nuk ndodhi, por u vazhdua me këtë përkushtim, më bën t’ju jem shumë mirënjohës edhe t’ju falenderoj me gjithë zemër për një përkushtim të jashtëzakonshëm”, tha ai.

Më tej, Veliaj u tha mësuesve se uron që ky vit të mos mbahet mend për sfidat, por për vitin që do thyhet rekordi i shkollave të reja të hapura në Tiranë.

“Më vjen mirë që dëgjova nga ju, që shumica e shkollave ku keni dhënë mësim, qoftë “Liceu””, qoftë “Dhora Leka”, qoftë “Konferenca e Pezës”, qoftë shkolla e fëmijëve me nevoja speciale “Luigj Gurakuqi”, janë të gjitha shkolla të transformuara. Mezi pres 40 shkollat e reja që hapen. Një pjesë e bën Bashkia në 17 shkolla, një paketë e shkollave të reja komunitare, ndërkohë 23 të tjera i kemi në bashkëpunim me qeverinë vetëm prej mundësisë që na dha rindërtimi pas tërmetit”, përfundoi kryebashkiaku.

Disa prej mësuesve të pranishëm kishin dalë në pension ose ishin në prag të daljes në pension dhe Veliaj u propozoi që shumë prej tyre të vazdojnë të japin kontributin e tyre edhe më pas, në projekte të ndryshme që Bashkia Tiranë zhvillon, duke përmendur edhe Piramidën e cila do të kthehet në një qendër të teknologjisë dhe inovacionit.

Në fund kryebashkiaku u shpërndau atyre certifikata mirënjohjeje dhe lule për gjithçka kanë bërë për të nxjerrë breza të edukuar dhe arsimuar.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.