“Çdo mësues është një hero”/Urimi i veçantë nga nxënësit, Kushi: Çdo 7 Mars tjetër ardhtë më i mbarë

TIRANË, 7 mars/ATSH/- Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka zgjedhur të urojë Ditën e Mësuesit nëpërmjet një videoje të veçantë, ku ajo vetë i është bashkuar një kolazhi urimesh e falënderimesh nga nxënës të shkollave të ndryshme të vendit.

Në mesazhin e saj, Ministrja Kushi nënvizon se ky është një 7 Mars ndryshe nga herët e tjera për shkak të pandemisë.

“Sot është 7 Marsi, Festa e Mësuesit. Një 7 Mars ndryshe nga çdo herë tjetër. Një 7 Mars kur çdo nxënës e prind po ndjen sakrificën madhore të mësuesve tanë që do të mbahet mend shumë gjatë. Duke uruar gjithashtu që “çdo 7 Mars në të ardhmen të mos i ngjajë këtij të sotmit, por të vijë i mbarë, dhe ne të mund të dhurojmë lule e përqafime me njëri-tjetrin”, shprehet Kushi ndërsa thekson se falënderimet e mirënjohja për mësuesit nuk mbarojnë asnjëherë.

“Të dashur mësues! Falënderimet dhe mirënjohja për ju, asnjëherë nuk mjaftojnë! Sepse çdo mësues është një hero! Një hero që të merr për dore, të ndriçon e bëhet udhërrëfyesi yt!” – përfundon urimin ministrja Kushi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.