Basha nuk ka ngulur një “gozhdë” se tramvajin e Tiranës nuk e tregon dot

TIRANË, 7 mars/ATSH/Kryeministri Edi Rama nga Lezha u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë ata që bëjnë punë dhe jo kreun e PD-së, Lulzim Basha i cili sipas tij, nuk ka ngulur në jetën e tij një “gozhdë”.

Shqiptarët, tha Rama, nuk duhet të harrojnë nga u nisëm e të mos humbim rrugën se ku do të shkojmë.

“Ajo që kemi bërë në çdo sektor nuk mjafton për të qenë të kënaqur as ju e as unë, sepse po të isha i kënaqur nuk do të vazhdoja të merresha me këtë punë. Do të thosha: e mora kënaqësinë e kësaj pune dhe u bënë gjërat siç i desha dhe siç njerëzit i meritojnë për këtë fazë. Por janë të mjaftueshme për të kuptuar dallimin e madh mes nesh e atyre që duan të kthehen prapë dhe me të njëjtat figura e ide, me të njëjtat metoda premtojnë se do të bëjnë diçka ndryshe. Por si do t’i bëjnë, kur nuk kanë dhënë asnjë shkak për të kuptuar se kanë ndryshuar bindje për disa gjëra, qasje në disa gjëra apo kanë nxjerrë disa mësime. Ata duket sikur thonë se populli e kishte fajin që na hoqi në 2013-n, tani populli duhet të na japë atë që na takon. Ne e dimë shumë mirë se ku duam të shkojmë e si shkohet aty. Pra janë prova të aftësisë. Më habisin disa njerëz që akoma sot mendojnë me tifozllik politikisht kur vjen puna të zgjedhja që duhet të bëjnë“, tha kryeministri.

Rama u shpreh se duhet të zgjedhësh atë që bën punën dhe jo të diskutojnë partinë.

Sipas tij, nuk mund t’i japësh punë kreut të PD-së Basha, pasi ai nuk ka bërë kurrë një punë.

“E mirëkuptoj çdo njeri që thotë se Luli është çun i mirë. Por a i jepet punë Lulit. Çfarë punë ka bërë në jetë Luli? Një punë që të thotë kam ngulur një gozhdë në filan mur?! Ça punë ka bërë. Të paktën të bëjë makarona një herë për demokratët që të provojë nëse i bën ato makarona, apo i ka thjeshtë për t’i tundur në momentin që filmohet. Mirë tramvajin e Tiranës, nuk e tregon dot, megjithëse të gjithë e shohin. Ai nuk thotë dot: ky është tramvaj që vura unë se është “modest”. Po një gozhdë, një gozhdë?! Mos të thotë se e ka futur Shqipërinë në NATO, se kështu thotë Saliu (Berisha), kështu Iliri (Meta), por në fakt do dalë pastaj që në NATO e ka futur Monika (Kryemadhi) Shqipërinë”, deklaroi Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.