Balla takim me mësues të sapodalë në pension: Mësuesi është ajka e një kombi

TIRANË, 7 mars /ATSH – I. Vata/ Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla së bashku me ministren e Arsimit Evis Kushi uruan sot mësuesit me rastin e 7 Marsit përmes një takimi të ngushtë të organizuar me mësues të sapodalë në pension.

Balla gjatë fjalës së tij shprehu vlerësimin, mirënjohjen dhe përuljen ndaj brezave të tërë mësuesish që kanë maksimumin e tyre për edukimin e një shoqërie të tërë.

“Një libër, një laps, një mësues e një fëmijë mund të ndryshojnë botën.  Mirënjohje për çdo gjë keni bërë për ta ndryshuar Shqipërinë vit pas viti. Jo pa qëllim takimi me mësuesit u organizua në godinën ku 111 vite më parë do të mbahej Kongresi i Elbasanit i cili vendosi hapjen e Shkollës Normale. Prej kësaj dere filloi misioni i rëndësishëm i mësimdhënies në gjuhën shqipe që e ktheu Elbasanin në kryeqytetin e dijes. Elbasanin duhet të vazhdojmë ta ruajmë e promovojmë si djepin e dijes, si një asset shumë i rëndësishëm dhe pasaporta europiane e Shqipërisë”, tha Balla.

Teksa përmendi punën e madhe që është bërë për arsimin pas vitit 2013 Balla se për herë të parë qeveria Rama ktheu vëmendjen tek arsimi parauniversitar, ai profesional dhe ai universitar.

“Kemi çmilitarizuar arsimin në aspektin politik. Koha kur mësuesit emëroheshin me tesera partie ka mbaruar dhe nuk duhet të kthehet më. Mësuesi është ajka e një kombi, pikërisht aty fillon gatuhet e ardhmja”, tha ai.

Balla siguroi se ”Do të vazhdojmë të qeverisim me bindjen se investimi në arsim është investimi më i rëndësishëm për të ardhmen e një vendi.”

E teksa ndodheshin në mjediset e kalasë së Elbasanit Balla tha se “nuk do të gjej karar, as unë as kryetari i bashkisë derisa ta kthejmë kalanë e Elbasanit në objektin më të vizitueshëm”.

Edhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi dhe kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja vlerësuan kontributin e mësuesve dhe sidomos atyre normalistëve që nisën rrugëtimin e vështirë, por të bukur të gjuhës shqipe.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.