7 Marsi/Meta dekoron disa mësues të shquar në Korçë

TIRANË, 7 mars /ATSH – I. Vata-  Presidenti  Ilir Meta uroi nga qyteti i Korçës 7 Marsin, Festën e Mësuesit, që përkon me 114-vjetorin e hapjes së Mësonjëtores së parë shqipe.

Me këtë rast, Meta dekoroi në ceremoninë solemne që u mbajt në teatrin “Andon Zako Çajupi” disa mësues dhe pedagogë të shquar korçarë, të cilët me përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre të jashtëzakonshëm kanë mëkuar me gjuhën amtare shqipe dhe kanë edukuar në lëndë të tjera dhjetëra breza nxënësish dhe mësuesish të aftë e të dalluar.

Me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” Presidenti Meta dekoroi pas vdekjes Pandi Spiro Cicin “Në vlerësim të jetës dhe veprës prej mësuesi të dalluar e të përkushtuar, si dhe me mirënjohje për kontributin e vyer në çeljen e disa shkollave pedagogjike në Shqipëri, duke mëkuar me dije dhe përgatitur profesionalisht qindra mësuesve të rinj”;  Vangjush Gaqi Tushin “Me mirënjohje ndaj kontributit të shquar në fushën e artit figurativ, pjesëmarrjes dhe përgatitjes me dashuri e pasion të qindra mësuesve, si dhe qëndrimit të tij stoik prej qëndrestari në fushën e artit, duke paguar edhe çmimin më sublim: humbjen e jetës në burgjet e diktaturës” si dhe Kostaq Osmalliun “Për veprën e shquar në fushën pedagogjike, në zbulimin e përgatitjen e shumë talenteve të reja në fushën e muzikës, si dhe kontributin e veçantë në gjallërimin e jetës muzikore të qytetit të Korçës. Nën drejtimin e tij shumëvjeçar, Kori ‘LIRA’ u shndërrua përfundimisht në një vlerë të veçantë kombëtare në fushën e muzikës”.

Me Titullin “Mjeshtër i Madh” u çmuan nga Kreu i Shtetit, pas vdekjes, Virgjini Pepo “Me mirënjohje të thellë ndaj qëndrimit të palëkundur antifashist, duke provuar burgjet e fashizmit, si dhe kontributin e çmuar në fushën e arsimit për shumë vite. Merita e saj është se me pasionin e pashtershëm zbuloi, kultivoi dhe përgatiti shumë talente të shfaqura në fushën e artit, kulturës dhe të letërsisë”; Theodhori Qirici “Në vlerësim të veprimtarisë së gjatë e të pandërprerë për shumë vite me radhë në disa shkolla, duke përgatitur me përkushtim dhjetëra breza nxënësish e mësuesish të shquar në fushën e matematikës”; Skënder Mina Stefanllari “Për kontributin e tij të vyer shumëvjeçar në dhënien e gjuhës dhe letërsisë shqipe, si dhe në zbulimin dhe nxitjen e shumë talenteve të reja, të cilët do të ishin më vonë poetët, shkrimtarët dhe gazetarët e ardhshëm që krijuan vepra me vlerë në rang kombëtar”; Trajan Veriga “Në shenjë vlerësimi për kontributin e madh si mësues në edukimin e të rinjve dhe të rejave nëpërmjet edukimit fizik dhe sportit në qytetin e Korçës. Me mirënjohje futbollistit të fuqishëm dhe korrekt të ‘Skënderbeut’, i cili përballoi me kurajë dhe patriotizëm vështirësitë e kohës”;  Kosta Koça “Në shenjë vlerësimi për kontributin e madh në zhvillimin e edukimit fizik dhe futbollit në qytetin e Korçës, si një nga mësuesit e përkushtuar, i cili kultivoi te nxënësit e tij, dëshirën për t’u marrë me sport. Një futbollist i spikatur, një sulmues i shpejtë dhe i sukseshëm i ekipit ‘Skënderbeu’, i respektuar dhe i dashur nga të gjithë.”; Thimaq Fundo “Në vlerësim dhe me mirënjohje për kontributin e gjatë në fushën e arsimit si mësimdhënës i përkushtuar dhe edukues frymëzues, duke dhënë lëndën e matematikës me inovacione metodike-shkencore si dhe duke ngritur për herë të parë kabinetet përkatëse mësimore”, si dhe Sotir Temo “Me mirënjohje ndaj kontributit të veçantë shumëvjeçar në fushën e pedagogjisë, si në mësimdhënie, në drejtim të institucioneve të larta shkencore, në përgatitjen e botimin e disa veprave me vlera të larta shkencore, i njohur dhe i vlerësuar edhe nga institucionet ndërkombëtare”.

Ndërsa me Titullin “Naim Frashëri” u vlerësuan pas vdekjes Gaqo Opingari “Me mirënjohje ndaj qëndrimit të tij të palëkundur antifashist, si pionier debatikas dhe kontributin e madh në fushën e arsimit, si mësimdhënës dhe hartues tekstesh të lëndës së gjeografisë”; Tefta Nastas Zguro “Me mirënjohje ndaj vlerave dhe kontributit të gjatë e të frytshmë në arsim, si dhe për rezultatet e larta në fushën e sportit, veçanërisht në sportin e alpinizmit” si dhe Robert Koli Morçka “Për kontributin e gjatë në fushën e arsimit, si mësimdhënës dhe njëherësh si drejtues shkollash, duke përgatitur një numër të konsiderueshëm mësuesish, të cilët shërbyen me përkushtim në disa rrethe nga më të largëtit e të vështirët të vendit tonë”.

Meta tha se “të gjithë mësuesit tanë, dhe sidomos ata në zonat rurale, meritojnë mbështetjen një mbështetje akoma më të madhe, sidomos për sa i takon teknologjisë dhe infrastrukturës digjitale”.

“Mësuesit kanë rritur breza plot talent dhe inteligjencë, por për fat të keq shumë prej tyre kanë qenë të detyruar të largohen nga vendi, dhe këtë e ndiejmë çdo ditë, e ndieni edhe ju për sa i takon auditorëve në statistikat e të gjitha niveleve. Ndaj duhet të bëjmë më shumë që rinia jonë, e edukuar më së miri nga mësuesit tanë, me dashuri për dijen por mbi të gjitha për atdheun, ta ndërtojë këtu të ardhmen e saj, në vendin tonë të mrekullueshëm”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.