20 milionë euro investime/ Brenda vitit 2022, 24 orë ujë të pijshëm në të gjitha zonat urbane

TIRANË, 7 mars/ATSH/- “Brenda vitit 2022 nuk do të flitet më për furnizim 24 orë me ujë në zonat urbane”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Lezhë, Rama u ndal te investimet që janë bërë sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm.

“Për sa i përket furnizimit me ujë, mendoj se janë bërë investime të rëndësishme. Ka një investim që është në sasi të konsiderueshme. Janë rreth 20 milionë euro për ujin e pijshëm”, deklaroi Rama.

Ai tha se “më vjen mirë që këto do të jenë zgjedhjet e fundit ku do të flitet për ujin”.

“ Brenda vitit 2022 ne do të kemi të gjitha zonat urbane me 24 orë ujë të pijshëm. Janë 110 kantiere në të gjithë Shqipërinë. E vetmja zonë që mund të mos përfundojë në 2020 është Tirana pasi ka problematikën më të madhe e komplekse, por edhe aty investimet janë të mëdha”, u shpreh kryeministri.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.