Vijon vaksinimi antikovid i të moshuarve mbi 80 vjeç në Lezhë/ Qytetarët për ATSH: Ndihemi më të mbrojtur, jemi mirënjohës

 

TIRANË,  6 mars /ATSH-A. Fortuzi/- Vijon vaksinimi antikovid i moshave mbi 80 vjeç në qytetin e Lezhës. Në dy ditët e para u vaksinuan në total gati 140 qytetarë të kësaj grupmoshe. Agjencia Telegrafike Shqiptare ka vëzhguar nga afër proccesin duke sjellë edhe mendimin e qytetarëve.

Të moshuarit për t’u vaksinuar më parë duhet të lajmërohen nga mjeku i familjes. Më tej sipas radhës së përcaktuar, paraqiten tek qendra e vaksinimit, ku fillimisht identifikohen. Më tej në zonën e parë të pushimit, plotësojnë një formular, ku pasqyrojnë problematikat shëndetësore, nëse kanë  dhe gjithashtu njihen me efektet anësore të vaksinës.

Pas plotësimit të formularit, i moshuari kalon tek dhoma e vaksinimit dhe pas procesit të vaksinimti, kalon tek zona e pushimit të pas vaksinimit, ku qytetarit mbahen nën vëzhgim për të parë nëse ka apo jo efekte anësore.

Zoje Zefej, nga njësia Vendore e kujdesit shëndetesor Lezhë, tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se deri më tani janë vaksinuar gati 140 qytetarë, ndërsa shtoi se nuk ka patur asnjë efekt anësor.

“Procesi po vijon mjaft mirë. Të moshuarit lajmërohen nga mjekët e familjes. Fillimisht ka nisur mosha mbi 90 vjeç dhe po ashtu mbi 80 vjeç, por duke filluar nga 89 vjeçarët dhe sipas radhës më poshtë. Jemi rreth 20 vetë këtu në këtë qendër vaksinimi të angazhuar, me vaksinator, ndihmës vaksinator,  regjistrues, mjekë dhe gjithashtu kemi dhe personelin e urgjencës, në rast se ndonjë prej të vaksinuarve do ndjehet jo mirë. Gjatë ditës së parë u vaksinuan 48 qytetarë, ndësa në ditën e dytë mbi 90”,- u shpreh Zefej për ATSH.

Qytetarët  u shprehën entuziastë për procesin e vaksinimit, si edhe më të sigurt përballë kësaj pandemi që çdo ditë po merr jetë qytetarësh.

“Patjetër që ndihem më i mbrojtur. Më njoftoi mjekja e familjes. I jam mirënjohës qeverisë”,- u shpreh një nga qytetarët.

“Unë shoqëroi vjehrrin, është 91 vjeç. Dje na njoftoi mjekja e familjes. Erdhëm u regjistruam dhe pritëm radhën sipas protokollit. Tani bëri vaksinën dhe presim të shohim nëse do ketë efekte anësore”,- tha një qytetare.

“I bëj thirrje të gjithëve të bëjnë vaksinën. Mjekja më lajmëroi dje dhe më tha se nëse dëshiroja mund të paraqitesha sot për t’u vaksinuar. Erdha menjëherë. Përderisa po vaksinohen edhe më të mençur se ne, s’kemi pse ne të mos e bëjmë”,- vijoi një qytetar tjetër. /j.p/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.